Presidentja e re e Kosovës, që pritet të zgjidhet më vonë gjatë ditës së sotme, është Atifete Jahjaga, aktualisht numri dy i Policisë së Kosovës.

Emri i saj është lakuar për herë të parë në publik kur u përmend si kandidate e mundshme për drejtoreshë e përgjithshme e policisë së shtetit të ri.

Në detyrën aktuale, Jahjaga merr një rrogë rreth 1 mijë euro në muaj dhe ka gradën e kolonelit, të cilën e ka arritur pas asaj të rreshterit dhe majorit.

Jahjaga është një juriste e diplomuar, karrierën e saj në polici e ka nisur fillimisht si përkthyese, për të kaluar më pas në radhët e policisë kufitare e më pas në departamentin e trajnimit të policisë.

Gjithashtu, ajo ka kryer specializime të shumta, mes të cilave një në Shtetet e Bashkuara, në një nga seksionet e FBI-së.

Në media ajo njihet për fotografinë e saj me ish-presidentin amerikan George W. Bush në Uashington, ndërkohë që është takuar edhe me sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton gjatë vizitës së saj në Kosovë.

Top Channel