Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ishte në dijeni për abuzimet, por kurrë nuk dëgjuam për trafik organesh.

Kështu është shprehur në një intervistë dhënë televizionit zviceran TSR, ish-përfaqësuesi i lartë i OKB-së për Kosovën, Bernard Kouchner, në lidhje me akuzat e bëra nga Carla Del Ponte lidhur me trafikun e organeve.

Ai po ashtu denoncoi edhe raportin e Dick Marty-t, të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

“Ata kërkonin një shtëpi të verdhë dhe e gjetën një të kaltër”, ka ironizuar Bernard Kouchner, transmeton “Zëri”.

I pyetur nga gazetari Darius Rochebin, rreth trafikimit të organeve, ish-ministri i Jashtëm francez filloi të qeshë ashtu siç kishte bërë kohë më parë në Graçanicë kur u pyet nga një gazetar serb rreth shtëpisë së verdhë.

Ai thotë se nuk beson dhe se asgjë nuk është vërtetuar, pavarësisht nga raporti i Marty-t.

“Kam lexuar raportin me kujdes, unë pres një hetim”, tha Kouchner.

Ndërkohë, ai nuk është bindur nga provat e ofruara deri më sot. “Mikja ime, Carla Del Ponte, e cila tha se ishte në atë shtëpi të verdhë ku gjetën një shiringë… Kjo nuk është serioze”, ka thënë ish-kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës.

Top Channel