Prej orës 6 të mëngjesit të së enjtes Konfederata e Unioneve të Gazetarëve të Greqisë ka shpallur një grevë 4 ditore në të gjitha mediat vendase të shtypit apo ato elektronike.

Në këto ditë nuk do të transmetohet asnjë edicion lajmesh, asnjë emision gazetaresk apo informativ dhe deri të hënën nuk do të botohet asnjë gazetë.

Duke akuzuar politikat që ndjekin grupet mediatike apo vetë qeveria greke, me synim shkatërrimin e gjithë të drejtave dhe arritjeve të gazetarëve në këtë sektor për vite me rradhë, Konfederata ka si kërkesë kryesore në këtë grevë, nënshkrimin e kontratës së përgjithshme të punës për rreth 5300 të punësuar në sektorin mediatik, ndalimin e pushimeve nga puna dhe reduktimet e njëpasnjëshme të pagave.

Sipas Konfederatës vetëm brenda një viti kanë humbur punën rreth 680 gazetarë. Është tashmë fakt që gjashtë grupe të mëdha mediatike në Greqi kanë deklaruar humbje brenda vitit të kaluar të një shkalle prej 756 milionë eurosh, pa përllogaritur këtu kanalin televiziv ALTER borxhet e të cilit janë më shumë se 500 milionë euro. Por siç shkruhet në deklaratën e Konfederatës:  “Tani punëdhënësit deklarojnë humbje, por kur kishin fitime, gazetarët nuk përfituan asgjë”.

Ndërkohë mediat greke kritikohen sidomos nga krahu i majtë gazetaresk, se për mëse 20 vjet ato kanë zhvlerësuar produktin e tyre, informimin objektiv të njerëzve. Ato pushuan së qeni bartëse të informacionit dhe të ideve dhe në vend që të ishin një fushë e debatit politik dhe ekonomik u kthyen në bartëse të interesave të pushtetit ekonomik dhe politik për një grup njerëzish duke humbur kështu masën e gjerë të blerësve.

Top Channel