Butler: Zgjedhjet, të ndara nga vizat

07/04/2011 16:05

Komisioni Europian ka detyruar autoritetet shqiptare të tërheqin zyrtarisht deklaratën e njëanshme mbi konkluzionet e takimit të dytë të Komitetit të Stabilizim Asociimit, që u zhvillua para dy ditësh, në Bruksel.

E pyetur nga TCH, zëdhënësja e komisionerit Fyle, ka korrigjuar madje pjesën e deklaratës së një dite më parë, duke rrëzuar edhe thëniet se Komisioni ka mirëkuptuar vështirësinë për të pajisur gjithë vendin me aparate verifikimi për kartat e identitetit në vetëm një muaj kohë.

“Komentet e mia të një dite më parë mund të jenë keqinterpretuar, prandaj dëshiroj ta bëj shumë të qartë se Komisioni Europian nuk sheh asnjë lidhje mes detyrimeve të procesit të liberalizimit të vizave, të mbyllyra me sukses vitin e kaluar, siç e dini, dhe organizimit siç duhet të zgjedhjeve lokale. Përgatitja e zgjedhjeve është në duart e autoriteteve shqiptare dhe përbën një prioritet afat-shkurtër për Shqipërinë që të garantojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente më 8 maj, në përputhje me standartet europiane dhe ndërkombëtare. Ky është dhe një nga kriteret kyçe të Opinionit”, ka deklaruar Natasha Butler.

“Dje ishim në kontakt të ngushtë me autoritetet shqiptare. Ata tërhoqën atë çfarë kishin publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë shqiptare të Integrimit Europian, pas bisedimeve me ne. Dhe unë ndjeva se ishte e rëndësishme për ne që të qartësonim qëndrimin tonë për Komitetin e MSA-së që u mblodh para dy ditësh, si dhe qëndrimin tonë për mungesën e lidhjes mes procesit të liberalizimit të vizave dhe zgjedhjeve lokale. Më lini të bëj të qartë edhe se është me të vërtetë kyçe që të garantohet në kohë para zgjedhjeve bashkëpunimi konstruktiv mes mazhorancës qeverisëse dhe opozitës. Autoritetet shqiptare dhe opozita nuk mund ta humbasin këtë shans. Ne e kemi deklaruar shumë qartë se është kyçe në Opininon për Shqipërinë që në qoftë se vendi do që të përparojë në rrugën e integrimit europian këtë vit, atëherë zgjedhjet lokale duhet të përmbushin, plotësisht standaret e OSBE-së dhe ato ndërkombëtare”, ka vijuar ajo.

TCH: Natasha, dje ju deklaruat se Komisioni kuptoi komentet e palës shqiptare për mungesë fondesh dhe afatesh për aparatet e kartave të indentitetit. A po korrigjoni këtë qëndrim të djeshëm?

Butler: “Po, absolutisht, po korrigjoj atë qëndrim. Nuk ka në të vërtetë fare lidhje mes këtyre proceseve krejt të ndara. Nga njëra anë ne kemi procesin e vëzhgimit se si do të zhvillohen zgjedhjet lokale. Për ne, siç e deklarova, duhet që ato të përmbushin standartet e OSBE-së, që bashkë me ODIHR-in kanë bërë rekomandime të qarta ndaj qeverisë shqiptare. Dhe ne presim që qeveria të veprojë sipas këtyre rekomandimeve. Ndërsa në anën tjetër kemi vëzhgimin e respektimit të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Siç e dini, Shqipëria përfitoi nga heqja e regjimit të vizave pas një vendimi të Këshillit të Ministrave të BE-së në nëntor të vitit 2010. Pra, këto janë dy gjëra krejt të ndara. Ndërsa në këtë moment që flasim, organizimi i duhur i zgjedhjeve lokale është në duart e autoriteteve shqiptare. U takon atyre ta bëjnë punën e tyre për të garantuar se këto zgjedhje lokale përputhen plotësisht me standartet ndërkombëtare”.

Ndër të tjera, në ish-deklaratën për shtyp të ministres së Integrimit, citohej se Komisioni Europian kishte mirëkuptuar pamundësinë financiare dhe kohore të pajisjes së gjithë qëndrave të votimit me aparate verifikimi për kartat e identitetit.

Deklaratë që u hodh poshtë sot nga Natasha Butler, e cila një ditë më parë plotësoi se ne rast se do të shfaqeshin probleme me kartat e identitetit, vendi rrezikonte jo vetëm zgjedhjet, por edhe regjimin ekzistues pa viza.

Top Channel