Biznesi ankohet për taksat

07/04/2011 18:15

Biznesi ankohet se administrata tatimore zvarrit pafund rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar, duke u krijuar humbje të mëdha financiare.

Anëtarët e Dhomës Amerikane i thanë avokatit të tatimpaguesve se ligji që i detyron tatimet ta rimbursojnë brenda 30 ditësh TVSH-në shpesh shkelet.

“Kërkoj tek administrata tatimore rimbursimin sepse më vonohen 1 vit dhe unë dua të marr kredi”, është ankuar një grua biznesmene.

“Tatimet thonë, do dërgoj inspektorin. Pastaj, prit sepse nuk kam inspektor”, e ka mbështetur atë Genc Boga, përfaqësues i Dhomës Amerikane.

“Ne do punojmë për cështjet ligjore. Por avokati është avokat, nuk është gjykatës”, u është përgjigjur ankesave të tyre, Artur Papajani, avokat i tatimpaguesve.

Një tjetër shqetësim i sipërmarrjes ishte dhe ai zbatimit të njëanshëm të ligjit, ku tatimet mund ta dënojnë biznesin, ndërsa kur inspektorët tatimorë shkelin ligji, askush nuk i ndëshkon.

“A penalizohet ky inspektor ndonjëherë për dëmet që shkakton, sepse e shoh që ai vazhdon punën dhe askush nuk e ndëshkon”, është shprehur biznesmenia. “Kemi filluar procedimin dhe kemi verifikuar disa raste të tilla”, është përgjigjur avokati Papajani.

Pak ditë më parë Kuvendi votoi një ligj të ri që i rrit edhe më shumë kompetencat e tatimorëve ndaj biznesit, me masa më të forta represive.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta