
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, në një intervistë të drejpërdrejtë në Top Story në Top Channel deklaroi se protesta e 21 janarit që u shoqërua me humbjen e jetës së 4 demonstruesve opozitarë, nuk ishtë një grusht shteti.
Megjithatë, ambasadori tha se në protestë ka patur një grusht personash që kanë patur tjetër axhendë nga pjesa tjetër e protestuesve opozitarë.
“21 janari nuk ishte një grusht shteti. Ka patur një grup njerëzish që kanë patur një axhende të ndryshme dhe duhet zbuluar cili ka qenë qëllimi i tyre. Hetimi duhet të zbardhë këtë si pjesë e një hetimi të tërë”, tha Arvizu.
Më tej zoti ambasador foli edhe për rolin e qendrimin e Policisë së Shtetit.
“Policia ka qenë në një rol të mesëm në këtë situatë. Nuk ka qenë e qartë cili ka qenë ndryshimi mes arrestit dhe ndalimit. Ajo që ne kemi bërë është që të shfrytëzonim pozitën tonë të mirë për të ndihmuar që të vazhdojë ky proces hetimi ndaj edhe ndihmojmë me ekspertët tanë”, tha ambasadori Arvizu.
Në vijim, Arvizu vlerësoi punën e Prokurorisë së Përgjithshme për hetimin e 21 janarit, hetim të cilin e quajti një rast tejet të vështirë për organet e hetimit bashkë me atë të skandalit të naftës ‘vergin’.
“Është një rast tejet i vështirë për prokurorinë. Kam zhvilluar biseda me Prokuroren e Përgjithsme për këtë cështje. Kemi folur dhe prokuroria po kujdeset që drejtësia të përmbushë detyrën në këtë situatë. Prokurorja dhe kolegët e saj po përpiqen të ndjekin drejtësinë e të jenë objektivë edhe pse ndonjë veprim i tyre do të interpretohet politikisht, ata kanë bërë një punë shumë të mirë. Prokurorja ka punën më të vështirë në Shqipëri. Edhe cështja e naftës “vergin”, ka një numër të madh njerëzish të përfshirë në këtë.”, deklaroi ambasadori amerikan.
Ambasadori foli edhe për rolin e Gardës së Republikës gjatë 21 janarit. Ai tha se është në dorë të hetimit tashmë të zbardhet nëse ka patur shkelje në zbatimin e urdhërave.
“Ka shumë pikëpyetje për urdhërat që i janë dhënë Gardës së Republikës dhe zinxhirit të saj drejtues. Personalisht nuk e di nëse Garda ka shkelur rregulloren. Hetimi duhet të saktësojë një pjesë të kësaj”, vijoi Arvizu.
Ambasadori Arvizu foli edhe për disa nga qendrimet e mbajtura prej tij në periudhën e shkurtër që shërben si diplomat i SHBA-së në Shqipëri. Ai la të kuptohej se nëse do kishte njohur më shumë vendin, do të kishte bërë disa gjëra ndryshe, gjithësesi për qendrimet ai shprehu bindjen se janë mbajtur ato të duhurat për të qetësuar situatën.
Duke folur për tragjedinë e Gërdecit, e cila më 15 mars, në të njëjte ditë me përvjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së, mbushi plot 3 vjet, Arvizu tha se drejtësia është ende e paplotë.
“15 marsi ka qenë festimi i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Jam krenar për marrëdhënien e vecantë që kemi, por kisha kuptuar se ishte 3 vjetori i një tragjedie, ngjarje tragjike për shqiptarët. 26 persona humbën jetën dhe drejtësia për këtë tragjedi është e paplotë”, tha ambasadori Arvizu.
Top Channel