Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar edhe njëherë kundër arrestimeve të fundit nga policia e EULEX-it dhe ka ftuar këtë mision që të ndalë ato që i quan skenare të pista për të njollosur me çdo kusht luftën.

Organizata e veteranëve të luftës së UCK-së thotë se rasti i fundit që tregon se EULEX-i po zbaton planet e Serbisë në Kosovë është arrestimi i kryetarit të komunës së Suharekës, Blerim Kuçi, fushatë të cilën shoqata e dala nga lufta e quajnë “gjahu i dëshmitarëve”.

Kuçi u dënua me 30 ditë paraburgim sepse sipas EULEX-it, nuk kishte pranuar të dëshmonte në një çështje.

Jo zyrtarisht mësohet se çështja ka të bëjë me nënkryetarin e PDK-së, Fatmir Limaj dhe akuzat për krime lufte.

E njohur si çështja e Kleçkës, lidhja e Kuçit me këtë rast siç raportohet është se ai ka qenë një ndër të burgosurit atje gjatë luftës.

Dhe i thirrur të dëshmojë kundër të akuzuarve, Kuçi ka zgjedhur heshtjen.

Siç raporton gazeta “Koha Ditore” duke cituar një dëshmitar të mbrojtur, Kuçi në kohën e luftës ishte i burgosur në Kleçkë dhe ishte dënuar me vdekje për dezertim, por u fal dhe u lirua kur filloi fushata e bombardimeve të NATO-s.

Sipas raportimeve, Kuçi ka qenë pjesëtar i formacionit Kitrat që kontrollohej nga qeveria e Kosovës me në krye Bujar Bukoshin dhe sipas dosjes kundër Limajt, ai ishte burgosur nga formacioni i UÇK-së që udhëhiqej nga Lëvizja Popullore e Kosovës.

Top Channel