Negociatori serb në bisedimet me Prishtinën, Borko Stefanovic ka deklaruar se ekipi serb në asnjë mënyrë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Ne i përmbahemi vetëm Kushtetutës sonë dhe rezolutave të Kuvendit që janë miratuar”, ka pohuar Stefanovic gjatë një raportimi mbi bisedimet në Parlamentin serb.

Ai ka theksuar se zgjidhja e cështjes së Kosovës do të zhbllokojë procesin e integrimeve evropiane të Serbisë dhe të gjithë Ballkanit perëndimor.

I cituar nga mediat kosovare, Stefanovic ka thënë se, “përsa i përket Beogradit, statusi i Kosovës është i zgjidhur. Në bisedime për statusin flet vetëm ekipi kosovar”.

“Ne që në fillim e thamë qartë se si e shohim statusin dhe me këtë përcaktim këtë cështje e mbyllëm. Ne ua kemi bërë të qartë partnerëve evropianë dhe përfaqësuesve të institucioneve të përkohshme kosovare, se përkufizimi ynë është se Kosova është pjesë e Serbisë”, ka pohuar Stefanovic.

Top Channel