
Partia Socialiste ka hapur fushatën në qytetin e Korcës, nga ku Edi Rama theksoi se beteja e opozitës është ndaj varfërisë ekstreme në të cilën kjo qeveri ka braktisur shqiptarët.
“Të gjithë e dinë se cështja madhore e këtyre zgjedhjeve s’është dytësore e problemeve vendore. E di Saliu që kjo është beteja personale dhe morale e pushtetarëve të sotëm. E Saliut në radhë të parë për rënien e vendit në papunësi, varfëri e pa demokraci”, deklaroi Rama.
Lideri i opozitës tha se vota e 8 majit është një votë për një shqipëri ndryshe, ku të mbizotërojë sipas tij, ligji dhe jo korrupsioni dhe grabitjet, që për Ramën janë kthyer në sistem nga qeveria aktuale.
“Koncepti modern i qytetarisë dhe esenca e mirëqeverisjes në pushtetin vendor është përtej së majtës dhe së djathtës. Saliu dhe kukullat e tij janë e kundërta dhe kandidatët e tij po bëhen si Saliu dhe më keq”, u shpreh Rama.
Kreu i Partisë Socialiste tha se Shqipëria nuk ka nevojë që të ketë kryeministrin dhe shpurrën e tij të klonuar në cdo qytet dhe cdo fshat, pasi Shqipëria, tha Rama, kërkon të ecë përpara dhe jo të bëhet pronë personale e tyre.
Në të njëjtën vije ishin edhe deputeti Pandeli Majko dhe kreu aktual i bashkisë së Korcës dhe kandidati i opozitës, Niko Peleshi.
“Ajo që themi sot për të gjithë shqiptarët është: kujdes, mos e shisni votën tuaj, mos e jepni me qera për 4 vjet”, u tha Majko simpatizantëve socialistë. “Ne do fitojmë, sepse po ecim përpara”, u shpreh pas tij Peleshi.
Top Channel