Opozita: Jo amnisti, vetëm falje

06/04/2011 16:25

Projekti për një amnisti të përgjithshme dhe me konsensus të gjerë u minua përfundimisht.

Qeveria po nxiton ta miratojë ligjin në Kuvend përpara zgjedhjeve lokale me procedura të përshpejtuara. Por kjo nuk u mirëprit nga opozita.

“Propozojmë të fusim në kalendar këtë ligj të rëndësishëm dhe të hartojmë një kalendar punë. Ndryshe themi se po nxitoni për të bërë një ligj për të mundësuar një votë më tepër, duke qenë në rrugën e humbjes”, deklaroi deputetja Mimi Kodheli.

Pas largimit të opozitës, në komisionin e ekonomisë mbërriti ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili paraqiti draftin para deputetëve të mazhorancës duke listuar disa nga detyrimet që falen.

“U falen të gjitha tatimet qytetarëve, taksat, detyrimet e papaguara për makinat, doganat dhe të tjerat. Të gjithë të vetëpunësuarve u falen sigurimet shëndetësore. Gjithashtu, biznesit i falen të gjitha kamatvonesat”, saktësoi Bode.

Zoti Bode i ka dhënë përgjigje edhe ankesave të biznesit, se ligji nuk u jep garanci, pasi pas deklarimit tatimet mund t’i kontrollojnë ata.

“Edhe kontrolli po të vejë nuk ka cfarë t’u kapë, sepse ata i kanë deklaruar. Nëse do ketë fshehje, kontrollet e mëvonshme do të ushtrojnë penalitete në rritje”, sqaroi Bode.

Lidhur me kërkesën tjetër të biznesit, atë për uljen e tarifave për legalizimin e pasurive të paluajtshme, zoti Bode tha se, nëse qeveria do e pranojë do të vendosë një kusht tjetër. “E kanë të drejtën ta dekjlarojnë zero pasurinë, por nuk e amortizojnë dot”, theksoi Bode.

Pas dështimit të amnistisë së gjerë me largimin e opozitës, komisioni miratoi variantin tjetër, atë të faljes, nga i cili përfitojnë një rreth më i ngushtë individësh dhe biznesesh.

Top Channel