Kriza e politikës kosovare duket se po shkon drejt zgjidhjes, pasi Behgjet Pacolli deklaroi se tërhiqet nga kandidimi i tij për postin e Presidentit të Kosovës.

Pas negociatave të ethshme u bë e njohur edhe kandidatura e re për postin e kryetarit te shtetit, ajo tashmë do të jetë një grua, emri i së cilës fitoi konsensusin e të dy forcave kryesore politike, Partisë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaci dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës të Isa Mustafës.

Ajo është Atifete Jahjaga, e cila aktualisht mban postin e zv. Drejtores së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Për dy ditë me radhë drejtuesit e Partisë Demokratike, të LDK-së dhe të Aleancës për Kosovën e Re të Behgjet Pacollit me ndërmjetësimin e zyrtarëve ndërkombëtarë kanë zhvilluar takime të parreshtura në përpjekje për arritjen e një zgjidhjeje që do ta nxirrte vendin nga kriza e shkaktuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e zotit Pacolli.

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, deklaroi para pak minutash se u arrit marrëveshja për tejkalimin e ngërçit politik. Ai tha se pakti i arritur mes tij, kryeministrit Hashim Thaci dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafa shmangu mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë.

“Unë sot u tërhoqa nga kandidati për president. E kam bërë me përgjegjësi të madhe sepse e pashë që do të ishte gabim fatal të isha pengesë dhe ta coja vendin në zgjedhje”, tha zoti Pacolli.

Edhe kryeministri Hashim Thaci vlerësoi këtë marrëveshje.

“Ne pajtohemi menjëherë që të formojmë një komision për reformën e zgjedhjeve, të hartojmë amendamentet kushtetuese në mënyrë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli”, tha Thaci.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa u shpreh se e vlerëson marrëveshjen dhe i qendron asaj plotësisht.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Kristofer Dell nga ana e tij vlerësoi kandidaten për presidente Atifete Jahjaga.

“Ajo është një oficere e zonja dhe si presidente jam i bindur se do të mbrojë Kushtetutën e Kosovës. Ajo po shkon në një zyrë që ka shumë sfida dhe do t’i duhet ndihma e të gjithëve”, tha Dell.

Në marrëveshjen e arritur mes PDK, LDK dhe AKR parashikohet që vitin e ardhshëm të mbahen votime për zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga populli, ndërkohë që për të mos shkelur Kushtetutën aktuale, vec Jahjagës është vendosur edhe një kandidaturë e dytë për postin e Presidentit të Kosovës.

Ndërkaq, përsa i përket marrëveshjes së bashkëqeverisjes mes PDK-së dhe AKR-së u bë e ditur se ajo do të vazhdojë, ndërkohë që LDK e Mustafës ripërsëriti qendrimin e kësaj force për të vijuar qendrimin e saj në opozitë.

Top Channel