Duket se qeveria e dytë e kryeministrit Thaçi nuk do të jetë me mandat të plotë. Negociatat që po zhvillohen mes faktorit politik vendas dhe atij ndërkombëtar çojnë drejt finalizimit të marrëveshjes e cila do të ketë për produkt zgjedhjet e parakohshme, jo më larg se në vitin 2013.

Subjekt i këtyre negociatave është ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe Kushtetuta në pikën që presidenti të zgjidhet nga votat e popullit.

Ndryshime këto të propozuara nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka njoftuar të mërkurën kryesinë e partisë për zhvillimet e fundit.

Paralelisht me bisedat e udhëhequra nga ambasadori amerikan Christopher Dell, një valë takimesh me përfaqësuesit e partive politike e ka nisur edhe presidenti në detyrë Jakup Krasniqi.

Në orët e paraditës Krasniqi është takuar me përfaqësuesit e LDK-së dhe Vetëvendosjes ndërkaq është në pritje të takimit me PDK-në AAK-në dhe përfaqësuesit e minoriteteve.

Zoti Krasniqi tha se këtë javë nuk ka gjasa të zgjidhet presidenti, ndërkaq paralajmëroi një tryezë të përbashkët me partitë politike, nga e cila siç tha ai do të rezultoi marrëveshja politike që e nxjerrë vendin nga kriza.

Top Channel