Infermierja: Ju tregoj kush është Gaddafi

06/04/2011 15:35

Një prej infermiereve që i ka shërbyer kolonelit Muammar Gaddafi, ukrainasja Oksana Balynskaya, përshkroi sot për “The Guardian” mënyrën se si e ka njohur diktatorin libian.

”Atij i pëlqen kuskusi, sidomos ai i shërbyer me mish deveje. Ashtu si të gjithë njerëzit në Libi, edhe atij i pëlqejnë shumë ushqimet italiane, sidomos makaronat”, tha Balynskaya, një prej pesë infermiereve që i qëndronin pranë Gaddafi-t deri në fillimin e konfliktit të armatosur.

”Pavarësisht moshës së tij, ai është në një formë më të mirë se shumë njerëz të tjerë. Ai kujdeset shumë për shëndetin e tij dhe çdo vit bën kontrolle të detajuara mjekësore. Përsa i përket tensionit ai është tërësisht normal dhe problemet e raportuara nga Wikileaks janë tërësisht të pavërteta”, shtoi ukrainasja.

Ajo shtoi se koloneli i bënte të gjithë stafit të tij dhurata të çmuara çdo vit, ndërsa orat e arta me fytyrën e tij ishin më të preferuarat prej tij.

”Në 1 shtator, ditën që ai është ngjitur në pushtet, Gaddafi i bën të gjithëve dhurata, kryesisht ora floriri me fytyrën e tij. Mund të kuptosh se cili është njeri i afërt me Gaddafi-n nga ora që mban në dorë”.

Megjithatë, infermierja hodhi kategorikisht poshtë spekulimet për një lidhje dashurore të Gaddafi-t me një tjetër infermiere, ukrainasen Galyna Kolotnytska.

”Të gjitha këto janë tërësisht të pavërteta. Ajo ka të njëjtat detyra si të gjithë infermieret e tjera. Mund të ketë kaluar pak më shumë kohë me kolonelin, por kjo vetëm sepse ajo kishte më shumë përvojë se të gjitha”, përfundoi Balynskaya.

Top Channel