Ata shpesh i konsiderojnë si njerëz të papërfshirë në sistem.
Njerëz të përjashtuar e të vetëpërjashtuar. E megjithatë, si çdo klishe që është e vërtetë vetëm përgjysmë, edhe në rastin e romëve të Shqipërisë, do të shohim se klisheja e largësisë së tyre nga shkolla, është tashmë një e vërtetë e paplotë.
Pranvera është një nga vajzat rome që vazhdon studimet e larta pranë fakultetit të Shkencave Sociale. Pas përfundimit të shkollës së mesme ajo kërkoi ndihmë për të qenë pjesë e sistemit të lartë arsimor dhe për të bërë për vete atë që shumë pak nga komuniteti i saj kishte marrë guximin për t´u bërë.
“Pasi mbarova shkollën e mesme, fillova punën në një qendër dhe një nga mbikëqyrësit i kishte vënë qëllim vetes për të më futur në shkollën e lartë”, shprehet Pranvera.
Të realizosh një ëndërr është një fillim i mirë, veçanërisht atëherë kur ‘ti’ mund të jesh shembulli që të tjerët do të ndjekin.
Ishin gjithsej 25 kuotat për gjimnazistët që do të vazhdonin arsimin e lartë, por vetëm 12 prej tyre ishin për komunitetin rom, 13 të tjerat i përkisnin gjeneratës së re të komunitetit egjiptian. Kështu na tregon Skënderi, kryetari i unionit ‘Amaro Drom’.
“Vihej re që muajt e parë të shkollës, nxënësit shkonin me dëshirë në shkollë, por menjëherë pas kalimit të periudhës së parë ata stepeshin dhe braktisnin shkollën. Arsyeja përse ndodhte ky fenomen ishte sepse ata ndiheshin të huaj dhe të distancuar nga pjesa tjetër e shoqërisë, nuk njihnin gjuhën dhe kishin shumë vështirësi”, shpjegon Veliu.
E vështirë për tu thënë e për tu pranuar, por statistikisht deri para disa muajsh ishin vetëm 20 apo 30 universitarë romë në të gjithë Shqipërinë. Sot ata kanë një mundësi më shumë për të fituar statusin e munguar.
Pranvera na tregon se pavarësisht se vjen nga komuniteti rom, ajo nuk ka ndjerë diferencime nga shoqëria në shkollën e lartë: “Që ditën e parë qe hyra në shkollën e lartë nuk kam ndier asnjë vështirësi për të krijuar shoqëri. Nuk jam ndjerë e diferencuar. As me gjuhën nuk kam problem.”
Marsela është një nga rastet ku mjaftojnë vetëm dy gishta të dorës për të numëruar të gjithë romët shqiptarë që kanë vazhduar studimet pasuniversitare. Ajo është një nga dy… Tashmë ka arritur të fitojë statusin civil në një prej institucioneve kryesore shqiptare.
Gërmat, fjalët, gjestet, mimika dhe dashuria për vetveten janë kumbar i fillimit të një rruge të gjatë e me kalldrëm që sapo ka nisur të marrë formë.
Ulur në një cep të dhomës, kur kamera është off record, me kokën nga dritarja dhe flamurin rom që qendron hijerëndë në krah, ku rrota simbolike e qerres duket sikur ka ndalur udhëtimin për të hedhur rrënjë në këtë vend, Skënderi tregon se po kërkon të përgatisë brezin e ri që do të edukojë pasardhësit në vazhdim. Ai do që të rinjtë e tyre të lënë gjurmë në jetë ashtu siç ngelin gjurmët e hapave tona në rërën e plazhit.
“Në radhë të parë është detyrë e çdo qytetari që të arsimohet. Së dyti, duhet t’I shërbejnë shoqërisë dhe së treti ka një përgjegjësi gjithëpërfshirëse që të kontribuojë për të gjithë shoqërinë dhe komunitetin e tij. Nuk mund të marrësh inisiativa në ndihmë të komunitetit nëse të mungon baza dhe baza është arsimi”, thotë kryetari i unionit ‘Amaro Drom’
Kështu, nën mbikëqyrjen dhe progresin e vazhdueshëm të integrimit të komunitetit, duket se listës së studentëve master, së shpejti do t´i shtohet edhe një person plus: ajo është Pranvera!
“Dua patjetër që të vazhdoj rrugën që kam nisur! Dua të vazhdoj masterin! Shpresoj të më plotësohet dëshira!”, përfundon Pranvera.
Top Channel