Mbi 30 milionë euro para me prejardhje nga trafiku i drogës dhe tregtia e armëve në Afrikë janë pastruar në vitet e fundit në Maqedoni.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat lokale, sipas të cilave pastrimi i shumave marramendëse është bërë nga shoqëria “Air Service MK” me seli në Shkup dhe nga partnerët e saj “Cascad Construction” dhe “Gemex Limited”, të dyja nga Uganda.

Sipas burimeve, dyshohet se shifra prej 30 milionë eurosh është pastruar gjatë vitit 2009. Të dhënat vijnë nga Drejtoria për parandalimin e pastrimit të parave, e cila për rastin në fjalë ka informuar njësinë kundër krimit të organizuar në Ministrinë e Brendshme të Maqedonisë.

Rezulton gjithashtu se paratë ishin transferuar përmes llogarive bankare gjatë festave të fundvitit, me qëllim që të kalonin të pakontrolluara nga autoritetet.

Top Channel