Një ndër anëtarët e kryesisë së partisë Aleanca për Ardhëmërinë e Kosovës, Blerim Kuci është marrë në pyetje për disa orë gjatë ditës së sotme në gjykatën e qarkut në Prishtinë.

Zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi sqaroi për Top Channel, se Kuci, njëkohësisht kryetar i komunës së Suharekës, nuk është arrestuar dhe se ai po merret në pyetje në lidhje me një cështje tjetër.

Mësohet se për të njëjtën cështje Kuci ishte thirrur vazhdimisht dhe nuk kishte dëshmuar. Por për partinë e tij ky është një arrestim dhe madje me sfond politik.

Duke folur para mediave të mbledhura në gjykatë, sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani tha se arrestimi i Blerim Kucit është bërë për shkak të refuzimit të dëshmisë për krime lufte për periudhën e luftës në Kosovë.

Ramadani ka hedhur poshtë pretendimet e disa mediave, se Kuci është arrestuar për korrupsion, të cilat ai i ka quajtur spekulime.

Sipas Ramadanit, Kuci e ka quajtur arrestin e tij me prapavijë politike, ndërsa pikërisht për këtë arsye ka refuzuar të marrë avokat mbrojtës.

Sipas zyrës së informimit të ELUEX-it, për personat që nuk bashkëpunojnë me prokurorinë, parashikohet dënimi me gjobë ose me paraburgim në bazë të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Top Channel