Pas një anulimi ditën e shtunë, ceremonia e dorëzimit të detyrës së presidentit nga Behgjet Pacolli të ushtruesit të detyrës Jakup Krasniqi nuk u zhvillua as mëngjesin e së hënës.

Dy njoftime për shtyp lajmëruan ceremoninë për t’u anuluar gati 1 orë para zhvillimit të saj.

E nëse të shtunën, anulimi nga ana e Aleancës Kosova e Re justifikohej me arsye objektive të zotit Pacolli, këtë herë arsyetimi është më i plotë.

“Behgjet Pacolli, nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e pranim/dorëzimit të detyrës së presidentit, duke u bazuar në nenin 90 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në një komunikatë për shtyp nga AKR-së.

Neni 90 i Kushtetutës i referohet në fakt mungesës së përkohshme të presidentit dhe rastit kur presidenti nuk është i aftë të kryejë detyrën dhe ia kalon vullnetarisht detyrat e postit të tij kryetarit të Kuvendit.

Por, sipas kësaj partie, ky vendim vjen edhe per faktin se z.Jakup Krasniqi tashmë ka filluar ta ushtrojë detyren e presidentit andaj z.Behgjet Pacolli e sheh të panevojshme të marrë pjesë në këtë ceremoni.

Edhe nga zyra e presidentit njoftohet se kjo ceremoni nuk do të zhvillohet, dhe se Jakup Krasniqi, që nga momenti i marrjes së sqarimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, vazhdon të ushtrojë detyrën e presidentit të vendit.

Top Channel