Kur televizori bëhet i padurueshëm

04/04/2011 19:20

Një prej elementëve të domosdoshëm të jetesës në shekullin e XXI është shndërruar televizori, nëpërmjet të cilit shkojmë atje ku do të dëshironim të ishim, informohemi apo argëtohemi.

Për një çast të vetëm, emisioni i pasdites në Top Channel u përpoq të imagjinonte se si do të ishte jeta jonë pa një televizor.

Ndërsa kjo pajisje është bërë gjithmonë e më e zakonshme në ditët tona, ka nga ata njerëz që krijojnë forma të ndryshme rezistence ndaj tij dhe përpiqen të largojnë sa më shumë televizorin nga jeta e tyre e përditshme.

Gisana, një 21-vjeçare, dëshmoi se prej kohësh nuk sheh më televizor, pasi e konsideron atë si një element të panevojshëm në jetën e saj.

”Kam 2-3 vjet që nuk shoh fare televizor, që kur nisa studimet për degën time, por edhe më parë, kur isha në gjimnaz, i kisha reduktuar shumë orët që qëndroja përpara tij”, deklaroi ajo.

Një jetë pa realitetin virtual nuk është e vështirë për t’u jetuar nga studentja e arkitekturës. Ndërsa tregoi se shkëputja ndodhi gradulisht, Gisana shpjegoi arsyet përse u largua kështu prej televizorit.

”Nuk është se u zgjova një ditë dhe i thashë vetes që nuk do të shikojë më televizor. Siç thashë, në fillim kjo ndodhi në mënyrë graduale, por ndërsa nisa universitetin, me të vërtetë nuk kisha më kohë.

Kështu, nisa të mos shihja më fare televizor dhe nuk e ndieja aspak si të domosdoshëm, prandaj shkëputja ishte krejtësisht e natyrshme”.

E ndikuar nga kultura japoneze e ndërtimit të shtëpive, arkitektja e ardhshme dëshmoi për një rast kur projektoi një vilë pa i kërkuar që të “gjente vendin” për televizorin.

”Gjatë paraqitjes së projektit në komisionin vlerësues një prej vërejtjeve që m’u bë ishte pikërisht mungesa e televizorit në ambientet e ndenjies, sepse shihet si një mjet për afrimin e familjarëve dhe rritjes së komunikimit mes tyre”, vazhdoi Gesana.

”Për mua, koncepti ndryshon, pasi nëse do të uleshin përpara televizorit për të folur për një program që familjarët preferojnë, ata mund të flasin më shumë, por po flasin për një jetë të dikujt tjetër dhe jo veten e tyre”.

Kohët e dashurisë për televizorin, Gisana u ruan vetëm në kohët e fëmijërisë, kur ndiqte filmat me kartona. Në vitet e mëvonshme, ajo gjithmonë e më pak e varur prej televizionit.

Që prej vitit 1925, kur u shpik, televizori ka pësuar një progresion rritje të jashtëzakonshëm, duke u shdnërruar në mjetin më popullor për dhënien e informacioneve.

Në këto kushte, mosekspozimi për një kohë të gjatë përpara ekranit të televizorit, bën që të humbet kontakti me botën përreth.

”Vjet, kur ndodhi përmbytja e Shkodrës, unë nuk e dija edhe pse kishte kaluar një muaj, pasi pa televizor nuk kisha si të informohesha. E mësova këtë ngjarje në klasë nga shokët dhe m’u duk vetja si pak jashtë bote”, kujton Gesana. “Aty e ndieva me të vërtetë mungesën”.

Deri diku, 21-vjeçarja e kufizon mungesën e realitetit virtual nëpërmjet internetit, që e lejon të ndjekë risitë në fushën e modës dhe falë të cilit shkarkon filmat më të suksesshëm të kinematografisë.

”Për informacionet mund t’i mësoj ato nëpërmjet internetit dhe falë tij shkarkoj edhe filmat e fundit, por ndihem pak bosh kur rastis në ambiente ku flitet për drejtues të rëndësishëm televizivë”.

Falë kohës së shtuar të lirë që ka pa televizor, 21-vjeçarja është në gjendje t’i dedikohet më shumë aktiviteteve të saj të preferuara, si koleksionimi i insekteve, i gurëve të plazhit apo pikturat.

”Edhe kur kam kohë të lirë, nuk më pëlqen të shoh televizor, pasi e mbush atë duke pikturuar apo duke lexuar diçka”, përfundoi studentja “e çuditshme”.

Megjithatë, “ushtria” e njerëzve që i kundërvihen televizorit, për momentin mbetet shumë më e kufizuar në numër se ajo e atyre që e mbështesin atë”.

Top Channel