Për herë të dytë brenda pak orëve, dy avionë pasagjerësh të tipit “Boeing” kanë kryer ulje emergjente në aeroportin e Athinës, “Eleftherios Venizelos”.

Rreth orës 18 e 30 minuta të pasdites së të hënës, një defekt serioz në motor ka detyruar pilotët e një avioni të kompanisë gjermane “Condor” me 197 pasagjerë të kërkojë pistë të lirë për ulje të detyrueshme.

Avioni “Boeing” 753, që vinte nga Shtutgarti dhe kishte si destinacion Larnakën e Qipros, është shoqëruar në aeroport nga një helikopter “Superpuma” dhe më pas i është nënshtruar një kontrolli të rreptë teknik.

Më herët, një tjetër “Boeing” 757-200, i kompanisë britanike “Thompson”, me 213 pasagjerë në bord, është ulur urgjent pas një telefonate anonime për bombë, kur ndodhej në hapësirën ajrore greke.

Menjëherë është vënë në zbatim plani emergjent me emrin e koduar “Renegade” dhe janë ngritur dy avionë luftarakë “F16” nga baza ushtarake e Elevsinës, që e kanë shoqëruar atë gjatë uljes emergjente.

Avioni, që vinte nga Bristoli i Britanisë dhe kishte destinacion Sharm El Sheikun, është kontrolluar më pas nga forcat speciale xheniere në një ambient të vecuar të aeroportit.

Top Channel