Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës rikonfirmon qendrimin e kësaj partie përsa i përket zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

Ditën e sotme u mbajt mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së i cili i ka dhënë mbështetje qendrimit për gjetjen e një marrëveshjeje konsensuale për zgjedhjen e presidentit, e shprehur më herët, një zgjidhje kalimtare që do të çojë vendin në zgjedhje të përgjithëshme pas një viti.  

“Morëm mbështetjen e Këshillit për qendrimet tona për nevojën e gjetjes së një marrëveshje mes partive në Kuvendin e Kosovës në interes të qytetarëve të Kosovës”, tha pas mbledhjes kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Përsa i përket mbështetjes ose jo të Behgjet Pacollit për postin e Presidentit të Republikës, zoti Mustafa ritheksoi edhe njëherë nevojën, sipas tij për arritjen e një marrëveshje politike dhe tha se LDK parashtron çështjet parimore në këtë proçes e jo emra konkretë për kandidatë.

Edhe organet drejtuese të partisë tjetër në opozitë, AAK kanë shprehur bindje për mbajtjen të pandryshuar të qendrimit politik përsa i përket zgjedhjes së Presidentit në Kosovë.

Këshilli Drejtues i kësaj partie ka miratuar qendrimin për bojkotimin e seancës në Kuvendin e Kosovës ku do të votohen kandidaturat për postin e Presidentit të Republikës, të mbetur vakant pas shpalljes si anti-kushtetuese të procedurave të ndjekura herën e parë të zgjedhjes së Pacollit, i cili do të jetë sërish kandidat sipas marrëveshjes së arritur mes koalicionit që ai drejton, AKR dhe Partisë Demokratike.

Top Channel