B.Fildishtë, tronditet nga luftimet Abixhani

02/04/2011 13:55

Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar aktualisht në qytetin kryesor të Bregut të Fildishtë, Abixhan, për të tretën ditë radhazi.

Besnikë të presidentit të njohur, Alassane Ouattara, janë duke u përballur me forcat e presidentit të paligjshëm, Laurent Gbagbo, në barikadat e formaura në qytet, në pallatin presidencial dhe zona të tjera të kryeqytetit fiktiv të vendit afrikan.

Sipas mediave ndërkombëtare, nuk është e qartë nëse Gbagbo ka mbetur në qytet apo është arratisur. Më parë gjatë ditës, u lajmërua se mbi 800 persona janë vrarë gjatë kësaj jave në qytetin e Dykues, shifër që i çon në disa mijëra viktimat e kësaj lufte civile.

Luftimet në Abixhan mbeten tepër të ashpra, ndërsa gjëmime artilerie janë duke u dëgjuar në bazën ushtarake të Agbanit, e ndodhur në qendër të qytetit me 3,7 milion banorë.

Për momentin, situata në qytet mbetet e paqartë, ndërsa mediat e huaja nuk janë në gjendje të verifikojnë nëse luftime po zhvillohen midis të dyja forcave apo nëse një revoltë e brendshme është duke ndodhur në bazën ushtarake.

Megjithatë, në bazë të raportimeve të dëshmitarëve, njerëz të besuar të Gbagbo-s janë duke armatosur mbështetësit e tij në zona të ndryshme të qytetit.

Banorët e Abixhanit janë shprehur se kanë shumë frikë të dalin nga shtëpitë e tyre, ndërsa krisma dëgjohen gjithandej. Shumë prej tyre kanë bërë të ditur se kanë mbetur pa ushqime, ndërsa dyqanet janë mbyllur si pasojë e plaçkitjeve të zakonshme.

Dikur i konsideruar një “oaz” paqeje në Afrikën Perëndimore, Bregu i Fildishtë është përfshirë nga një krizë e thellë politike që prej nëntorit, kur Gbagbo nxorri ushtrinë në rrugë për të mbrojtur pushtetin, edhe pse kishte humbur në zgjedhje.

Top Channel