Alarm ka shkaktuar në pasditen e së enjtes në radhët e Shërbimit të Antiterrorit grek, zbulimi i një zarfi-bombë që ka mbërritur me postë në burgun famëkeq të Koridhalosë.

Bomba brenda zarfit është zbuluar për fat të mirë në dhomën e postës në burg, gjatë procesit të kontrollit nga aparatet e posacme me rreze dhe është izoluar menjëherë në vendin e posacëm ku edhe pak më vonë, është caktivizuar me shpërthim të kontrolluar.

Sipas specialistëve xhenierë aparati shpërthyes ishte i përbërë nga një sasi baruti, nje kapëse, një bateri dhe vlerësohet se është konstruktuar nga elementë anarkistë, pasi ka ngjashmëri të madhe me pakot-bomba të dërguara disa muaj më parë në ambasadat e huaja në Itali, midis tyre edhe ambasada greke në Romë.

Zarfi-bombë në faqen e tij të brendshme ka pasur të ngjitura disa pulla poste të Italisë, ndërsa edhe adresa e marrësit, që ishte drejtori i burgut dhe e dërguesit, ishin të shkruara me gërma latine.

Madje vlerësohet se ky akt mund të ketë lidhje edhe me shpërthimin para disa orësh të një pakoje bombë në një repart ushtarak parashutistësh në Livorno, pranë Toskanës, ku është plagosur edhe një ushtar italian.

Duke parë se zarfi drejt burgut grek është postuar nga Firence e Italisë, shërbimi i antiterrorit në Athinë po përpiqet të zbulojë në bashkëpunim me organet italiane nëse ngjarja është vepër e Federatës Joformale Anarkiste në Itali (FAI) e cila proteston me këtë mënyrë për arrestimin e pjesëtarëve të grupit terrorist në Greqi “Komploti i Celulave të Zjarrit”.

Top Channel