Behgjet Pacolli do të rikandidojë për postin e Presidentit të Kosovës. Aleanca Kosova  e Re ka mundur të mbledhë firmat e nevojshme, ndërkohë që mendohet se  kandidati konkurrent i Pacollit do të jetë një femër.

“Të gjitha nënshkrimet për kandidimin e zotit Pacolli janë mbledhur si dhe nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme. Tashmë pritet të aprovohet prej administratës së Kuvendit për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme. Shumë shpejt do të mësohet edhe kandidati dytë, i gjinisë femërore”, deklaroi Myzejene Selmani, deputete e AKR-së.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci deklaroi gjatë së enjtes se vazhdon marrëveshja e lidhur mes tij dhe Behgjet Pacollit, por nuk i është përgjigjur pyetjes nëse Pacolli mund të jetë president i ardhshëm.

“Ne do të vazhdojmë me hapat tona konkretë sipas marrëveshjes që kemi patur edhe më herët. Kosova do ta ketë presidentin e vet. Në asnjë rrethanë nuk do të lejohet ndonjë vakuum, por funksionimi i mirë i institucioneve”, u shpreh kryeministri Thaci.

Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e publikuar e cilëson jokushtetuese zgjedhjen e Pacollit president nga ana e Kuvendit të Kosovës. Njëra nga arsyet është mos prezenca në sallë e 2/3 të deputetëve.

Por me këtë nuk janë pajtuar subjektet politike opozitare. Përvec Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që në rrethana të njëjta, prap do të largohet nga salla, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje kryeministrit Thaci për të arritur një marrëveshje kalimtare, ndërsa në lëvizjen Vetëvendosje shprehen se presin të mësojnë më shumë për seancën e ardhshme e më pas të marrin një vendim.

“Jemi në kohën e një marrëveshje kalimtare e cila do të ketë një axhendë të qartë të ndryshimeve të ligjeve, ndryshimit të ligjit zgjedhor, Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe caktimi i datës për zgjedhjet e reja. Kjo nuk nënkupton që LDK është e gatshme të hyjë në koalicion në qeveri, në asnjë formë, por jemi të gatshëm të japim kontributin tonë si LDK nëse bëhet kjo marrëveshje”, tha Ismet Beqiri, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së.

“Së pari duhet të kemi informacion se si do të rrjedhë ajo seancë në mënyrë që ta dimë se si do të veprojmë ne”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosje, Visar Ymeri.

“Nëse do të jetë zoti Pacolli kandidat për President të Kosovës në këtë koalicion me zotin Thaci, në prap do ta braktisim sallën e Kuvendit”, tha kreu i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini.

Tashmë i mbetet Kuvendit që të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Top Channel