Gjykata Kushtetuese ka dhënë sqarime shtesë në lidhje me vendimin për shfuqizimin e proçedurave të zgjedhjes së presidentit, të cilat u konsideruan si jo kushtetuese.

Në vendimin që përmban sqarime për pyetjet e parashtruara nga kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe Behgjet Pacolli, gjykata vëren se vendimi i saj për të shfuqizuar mandatin e presidentit ka hyrë në fuqi më 31 mars.

Nga kjo datë, thuhet se Kosova ka ushtrues detyre të presidentit, por nuk sqaron se cili është ai.

Gjithnjë duke iu përgjigjur pyetjeve, gjykata ka sqaruar se vendi nuk shkon në zgjedhje të parakohshme, nuk ka nevojë të zhbëhet Kuvendi dhe se vendi nuk është në vakuum institucional, njoftojnë mediat.

Ndërkaq, në pyetjen e parashtruar nga qeveria nëse është detyrim kushtetues prania e dy të tretave të deputetëve në sallë, në rundin e parë dhe të dytë të zgjedhjes së presidentit dhe nëse mund të shkohet direkt në rundin e tretë, po që se nuk janë 80 deputetë të pranishëm, gjykata është përgjigjur:

“Gjykata rikujton që qëllimi i këtij sqarimi është të bëjë të qartë aktgjykimin dhe nuk ka autoritet për të dalë jashtë objektit të çështjes së kërkesës. Prandaj, situatat hipotetike, siç janë përmendur në letrën e kryeministrit, janë jashtë kufirit të objektit të çështjes dhe mund të jenë bazë për një rast të ri”, thuhet në sqarimin e Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel