Mëngjesin e së premtes një regjistrues trokiti në dyert e shtëpisë së Eshref Ajetit në Prishtinë. Ai do të japë të dhënat për të gjithë anëtarët e tij të familjes, të cilat do të mbahen konfidenciale.

Përveç regjistrimit të pjesës së familjes që është prezente në Kosovë, z.Ajeti ka mundësi që të japë të dhënat edhe për anëtarët e tjerë që jetojnë jashtë Kosovës.

Në ditën e parë të regjistrimit të popullsisë, që në Kosovë ndodh pas plot 30 vitesh, qytetarët shprehen se u duket më e pranueshme ideja që regjistruesit të vijnë në shtëpi, sesa të rrinë në radhë të gjata.

“Ne kemi dhe besoj edhe shumica e famijleve në Kosovës kanë dikë jashtë shtetit, që unë do I regjistroj”, thotë Eshrefi.

Në rastet kur askush nuk ndodhet në shtëpi në kohën kur vjen regjistruesi, ai u lë një zarf për t’i njoftuar se regjistrimi ka filluar dhe është e preferueshme të jeni në shtëpi herët e tjera.

“Asnjë nuk ka shkuar keq, gjithçka ka shkuar mirë dhe herët e tjera na kanë pritur mirë dhe janë shumë të kënaqur që po bëhet ky regjistrim i popullsisë dhe shpresoj që deri më 15 prill të kemi arritur sukses”, theksoi Blerina Berisha, kontrollore e regjistruesve.

Mijëra regjistrues janë shpërndarë që prej mëngjesit në të gjithë Kosovën për të marrë të dhëna për numrin e banorëve, banesave dhe të ekonomive familjare.

Ndërsa në komunën e Skënderajt regjistrimi filloi simbolikisht në familjen e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Kjo ishte dita e parë dhe në këtë mënyrë, shtëpi më shtëpi, evidentimi i të dhënave, që do të zgjasë 15 ditë, ndërsa në veri pak më shumë.

Top Channel