Lidhja Demokratike e Kosovës kushtëzon pjesëmarrjen në Kuvend në seancën e zgjedhjes së presidentit me gjetjen e një zgjidhje kalimtare mes pozitës dhe opozitës.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri tha nëpërmjet telefonit se zgjidhja kalimtare nënkupton caktimin e një afati ku do të reformohet sistemi zgjedhor dhe një marrëveshje për zgjedhje parlamentare të reja pas 1 viti. Në të kundërt, tha Beqiri, LDK nuk do të kontribuojë në zgjedhjen e zotit Pacolli si president.

Deklaratat e ambasadës amerikane dhe BE-së se deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në seancë LDK nuk i komentoi. Megjthatë, deputetët e kësaj partie, sikurse edhe ata të vetëvendosjes i referohen dy dispozitave të tjera ligjore, që sic thonë ata, nuk i detyrojnë të qendrojnë në seancë.

Në nenin 70 pika 1 e Kushtetutës ku flitet për mandatin e deputetëve, thuhet se deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues.

Ky qendrim përforëcohet edhe nga radhët e PDK-së, ku vetë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi deklaron se është mirë të lexohet neni 70 pika 1 që flet për të drejtat dhe detyrat e deputetit. Askush, thotë ai, nuk imponon, as me ligj, as me ndonjë formë tjetër deputetit të qendrojë apo jo në seancë.

Top Channel