Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith u ka bërë thirrje palëve politike në Kosovë që të respektojnë tërësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Deputetët që e cuan cështjen në Kushtetuese tani kanë detyrimin moral dhe politik që të jenë pjesëmarrës në procesin e zgjedhjes së presidentit”, ka deklaruar Feith në një komunikatë për shtyp.

I dërguari i Bashkimit Evropian ka shtuar më tej se, qëndrim të njëjtë kanë edhe përfaqësuesit e të gjitha vendeve evropiane të akredituar në Prishtinë.

Më herët një apel të ngjashëm bëri edhe selia e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin kosovar.

“Ne besojmë se ata deputetë që kërkuan mendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën e 22 shkurtit, kanë detyrimin politik dhe moral që të respektojne të gjitha aspektet e mendimit të shumicës së kësaj gjykate. Ne i ftojmë ata që të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese, duke marrë pjesë në Kuvend për të lejuar formimin e institucioneve të Republikë së Kosovës”, thuhet në një deklaratë të ambasadës amerikane.

Në këtë dokument, selia diplomatike e Shteteve të Bashkuara u kujton faktorëve politikë kosovarë se, shteti i ri nuk mund t’i lejojë vetes një paralizë institucionale. 

Top Channel