Jemen, ofertë e Saleh për zgjidhjen e krizës

30/03/2011 16:25

Presidenti i Jemenit, Abdullah Saleh, i bëri një ofertë të re protestuesve në vendin e tij, duke propozuar qëndrimin e tij formal në pushtet deri në mbajtjen e zgjedhjeve, ndërkohë që pushteti real do t’i kalojë një qeverie të tranzicionit.

Saleh bëri këtë propozim gjatë një takimi me Mohammed al-Yadoumi, lideri i Partisë Islamike. Kjo është hera e parë që presidenti i Jemenit bisedon me drejtuesit e fuqishëm muslimanë, në 32 vitet e pushtetit të tij.

”Opozita mund të zgjedhë një qeveri të sajën, e cila do të përgatisë dhe do të drejtojë vendin deri në zgjedhjet parlamentare në fundin e vitit”, deklaroi Saleh.

Partitë e opozitës njoftuan se janë duke konsideruar ofertën. Prej disa javësh, Jemeni është turbulluar nga protestat që kërkojnë largimin e menjëhershëm të autoritarit Saleh.

Megjithatë, pavarësisht disa dhjetëra të vrarëve, ai vazhdon të ketë mbështetjen e SHBA-së dhe vendeve perëndimore, pasi është një njeri i besuar në luftën kundër militantizmit dhe Al-Kaedës.

Top Channel