Turqia rishpreh rezervat për ndërhyrjen në Libi

29/03/2011 17:40

Turqia shprehu edhe një herë tjetër rezervat e saj për ndërhyrjen e koalicionit që përfshin shumë vende të NATO-s në Libi, nëpërmjet një deklarate të bërë nga Ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu.

Në një deklaratë të bërë gjatë mbërritjes së tij zyrtare në Bagdad, Irak, Davutoglu tha se “nuk duhet të harrojmë vuajtjet e mëdha të popullit iraken, sa herë që vendosim të ndërhyjmë në një vend”.

Ai theksoi edhe ndjeshmërinë e Ankarasë zyrtare ndaj luftës në Libi. “Si vendi i vetëm musliman brenda NATO-s, kemi një ndjeshmëri të veçantë për atë që ndodh pranë fqinjëve tanë.

Ne vendosëm dy kushte të rëndësishme për ndërhyrjen e NATO-s në Libi. E para, që kjo të ndodhte nëpërmjet një resolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe e dyta, që vendet e Ligës Arabe të përfshiheshin në këtë ndërhyrje”.

Turqia, një pjestar i NATO-s që prej vitit 1952, konsiderohet si një alet i çmuar i SHBA-së, BE-së dhe Izraelit, e një ndërmjetës i fuqishëm i tyre me botën arabe.

Megjithatë, sipas ekspertëve, rritja e fuqisë rajonale të Turqisë ka bërë që Ankaraja të lidhet më shumë pas fqinjëve të saj dhe botës arabe, duke kërkuar që të marrë një rol lideri si përfaqësuesja e kësaj bote.

Top Channel