Brenda 6 muajsh, Kosova regjistron dy raste të shkeljes së Kushtetutës që kanë lidhje me kreun e shtetit. I pari që për të cilin u konstatua se e shkeli vetë aktin më të lartë juridik ishte ish presidenti Fatmir Sejdiu.

Ai për gati dy mandate si president mbajti dy poste atë të presidentit të shtetit dhe kryetarit të LDK-së, gjë kjo në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, megjithëse zoti Sejdiu e deklaronte postin e kryetarit të partisë si të ngrirë.

Dy deputetë të legjislaturës së kaluar në fund të mandatit të tyre Naim Rrustemi dhe Driton Tali, u kujtuan se me grumbullimin e 30 nënshkrimeve çështja mund të dërgohet në kushtetutese dhe përfundimisht mund të mësohej nëse kreu i shtetit po e shkelte Kushtetuten apo jo.

Gjykata kushtetutese ne shtator të 2010-tës konstatoi se zoti Sejdiu i ka bërë shkelje serioze kushtetuteses me mbajtjen e dy posteve dhe ushtrimin e funksionit të kreut të LDK-së, sidomos duke vënë firmën në listën e kandidatëve për zgjedhjet lokale të depozituar në KQZ.

Ky vendim e detyroi Sejdiun që japë dorëheqjen, por edhe e çoi vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, pasi zoti Sejdiu tërhoqi ministrat e tij nga kabineti i Thaçit.

Për dallim nga rasti i zotit Pacolli i cili ra në kundërshtim me nenin 86-të, zoti Sejdiu kishte shkelur nenin 88 pika e dytë ku thuhet se presidenti pas zgjedhjes së tij nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.

E derisa presidenti Sejdiu vinte nga Lidhja Demokratike e Kosovës, janë pikërisht deputetet e LDK-së ata që inicuan çështjen Pacolli në kushtetutese.

Por kësaj radhe jo pse zoti Pacolli mbante dy poste, por sepse shkeljet sic argumentonte LDK-ja kishin të bënin me procedurat e zgjedhjes në kuvend.

Duket se kësaj here presidenti del i pafajshëm por gjithsesi i duhet të vuajë pasojat e shkeljes që e ka bërë dikush tjetër, në këtë rast kuvendi.

Se cfarë do të ndodhë më tej, pritet që gjithcka të zbardhet së bashku me vendimin e plotë të gjykatës kur ky dokument t’i dorëzohet palëve, bashkë me rekomandimin për procedura të mëtejshme.

Ndërsa një nismë tjetër për faktin nëse Pacolli kishte kryer shkelje edhe duke votuar për qeverinë pasi ishte zgjedhur president mbeti përgjysmë me refuzimin nga LDK, e cila ishte në pritje të vendimit të fundit, pikërisht atë mbi mënyrën e zgjedhjes së Pacollit.

Top Channel