
Orkestrat frymore në Shqipëri janë më të vjetrat e të gjithë formacioneve muzikore në vendin tonë.
Këto formacione u ngritën pothuajse në çdo qytet shumë herët, duke u bërë pjesë e rëndësishme e jetës artistike dhe kulturore të vendit që në vitet 1920. Njëkohësisht, u shdërruan në themelin e muzikës së kultivuar kombëtare.
46 vjet pas krijimit të orkestrës frymore në Shkodër, në fundin e viteve 1800, ish-Kryeministri Fan Noli krijoi bandën frymore të Tiranës, me muzikantë të ardhur nga jashtë kufijve të Shqipërisë.
Duke dëshmuar për emisionin e pasdites në Top Channel, një prej veteranëve të bandave në vendin tonë, Fatmir Foçi, deklaroi: “Bandat u bënë të zakonshme në rrugët e Tiranës pas shpalljes së saj si kryeqytet. Më saktë, ato ishin orkestra të vogla frymore.
Fillimisht, repertori ishte i thjeshtë, larmia e instrumentave ishte të paktë, ndërsa këngët përqendroheshin tek ato me motive kombëtare”.
Orkestra frymore e fillimit të viteve 1920 u shndërrua në fundin e saj në “Bandën Mbretërore”, e përbërë kryesisht nga muzikantë të ardhur nga banda “Vatra” prej SHBA-së dhe të tjerë që kishin studiuar në Itali.
Me kalimin e viteve, sidomos pas 1945, kjo trupë erdhi duke u zgjeruar dhe për
të filluan të shkruanin pjesë muzikore kompozitorë të njohur si Prengë Jakova,
Pjetër Dungu apo Enver Mara.
Megjithatë, fizionominë e plotë nga ana profesionale, Banda
frymore e Tiranës e mori në gjysmën e dytë të viteve 70 të shekullit të kaluar:
”Në vitet 1970-75, në bandë nisën të afrohen instrumentisë me arsim të lartë, repertori filloi të zgjerohej. Veprat nuk ishin më vetëm kombëtare, por edhe klasike.
Morrëm shumë nga suitat, madje edhe nga uverturat e aktorëve të huaj”, kujton Foçi, njëri prej atyre që i ka përjetuar në vetën e parë ato transformime.
Edhe pse nën censure, gjykohet se bandat muzikore, sikunder kjo e Tiranës, ditet e tyre të arta i patën në periudhën komuniste të Shqipërise. Dalja e tyre në rrugë me rastin e festave kombëtare, ishte nje ngjarje per kryeqytetasit.
Prokop Mishku është instrumentisti më i vjeter i Orkestres Frymore të Tiranes. Ish-trompist, tani i aktivizuar në perkusion, ai kujton se si në vitet `73 rikrijuan bandën amatore të Tiranës:
”Unë jam më i vjetri në bandën e sotme frymore. Ka pak më të rinj se unë, por shumica janë të rinj. Banda ka nevojë për të dyja. Nga njëra anë i duhet përvoja, njerëz që dinë dhe e njohin se çfarë është banda.
Nga ana tjetër, ka të rinj që i japin forcë dhe mësojnë vazhdimisht prej punës së më të moshuarve”, thotë Nishku.
Me një aktivitet të përqendruar jo vetëm në Tiranë, Xhemali Murraj, një tjetër
instrumentist i bandës, kujton momentin kur kjo orkester frymore udhetoi për herë
të parë jashtë kufijve të Shqipërisë:
”Kur Xhejms Bekeri erdhi në Tiranë, ne u nisën për në Paris. Prej andej, me tren shkuam në Tuluzë, ku bëhej festivali i bandave.
Aktiviteti zhvillohej në stadiume dhe çdo natë ndërroheshin bandat. Dhamë 12 koncerte në gjithë jugun e Francës dhe na mbajtën një javë më shumë.
Me sa duket, ishin të kënaqur nga paraqitja jonë dhe e shfrytëzuan qëndrimin tonë në Francë për të zgjatur koncertet tona. Përsa i përket kostumeve, ishim të veshur me veshje popullore të të gjithë trevave të Shqipërisë”.
Ky formacion frymor është drejtuar ndër vite nga muzikantë me përvojë si Syri Rroi, Bujar Llapi apo Edmond Doko. Me një vijueshmeri artistike, Banda Frymore e Tiranës perbëhet sot nga instrumentistë me pervojë.
”95% e bandës janë profesionistë të vërtetë, të formuar në radhët e Akademisë së Arteve, tek bandat e ushtrisë, tek ajo e Tiranës apo në Orkestrën Simfonike të Radio-Televizionit Shtetëror”, thotë Xhemal Murraj.
Trupa që jep koncerte dhe merr pjesë në ceremonitë zyrtare të qytetit të
Tiranës numëron në përbërjen e saj dy femra instrumentiste, duke thyer në këtë
menyrë mentalitetin e para viteve `90-të.
”Jam munduar që të përfshij femrat sepse ato e zbusin fizionominë e bandës”, argumentoi Fatmir Foçi. “Deri në vitet 1990 nuk kishte femra në këtë struktura dhe kjo pengohej edhe disi nga koncepti se femrat nuk mund të merreshin me këtë punë.
Këtë tabu e thyem me ushtrinë në vitet 1993-94, ku u morrën për herë të parë tyre femra. Sot ka disa edhe në bandën e ushtrisë, edhe në atë të qytetit”.
Në fund, Foçi iu përgjigj edhe pyetjes më të rëndësishme nga të gjitha. Përse është e domosdoshme që këto formacione muzikore të ekzistojnë?
”Bandat janë struktura më demokratike në muzikë. Larmia dhe gërshtimi i tingujve e bën atë të jashtëzakonshme. Spektatorët tërhiqen shumë duke luajtur në ambiente të hapura. Është e qartë se çdo njeri ka nevojë për muzikë në jetën e tij”.
Top Channel