Japoni, Kryeministri: Situata mbetet kritike

29/03/2011 15:45

Punonjësit e centralit të dëmtuar bërthamor të Fukushimës në Japoni janë duke u përpjekur me dëshpërim që të shmangin rrjedhjen e lëndëve radioaktive në det, ndërsa Kryeministri Kan deklaroi se situata në reaktorë mbetet kritike dhe e paparashikueshme.

Një ditë më parë, ujë me përmbajtje tepër të lartë radioaktiviteti u gjet brenda reaktorëve të ndërtesave dhe ekziston mundësia që ai të rrjedhë drejt detit, të ndodhur vetëm dhjetëra metra larg reaktorëve.

Nëse diçka e tillë do të ndodhë, një katastrofë ekologjike do të ishte e pashmangshme, por do të dëmtohej edhe jeta e shumë qyteteve bregdetare, nga rrezatimi dhe dëmtimi i industrisë së peshkimit.

Agjensia Japoneze e Energjisë Bërthamore bëri të ditur sot se nuk ka asnjë konfirmim nëse ka ndonjë rrjedhje drejt detit prej tuleneve të impiantit të Fukushimës drejt detit.

Në reaktorin me numër dy, i dëmtuar më rëndë se të gjashtë reaktorët e tjerë, janë regjistruar rrezatime të kuotës 1 000 milisieverts në orë, ndërsa doza normale e rrezatimeve në natyrë është 2-3 milisieverts në vit.

Japonia u godit në 11 mars nga një tërmet me magnitudë 9 të shkallës rihter, më i forti i regjistruar ndonjëherë në historinë e vendit. Si rrjedhojë, 11 mijë persona humbën jetën, 16 700 janë shpallur të humbur dhe 190 mijë janë të pastrehë.

Top Channel