Irak, sulm i armatosur në Tikrit, 53 viktima

29/03/2011 23:25

Vazhdon gjendja e tensionuar në Tikrit të Irakut, ku janë gati 53 viktimat e një sulmi të armatosur në selinë e Këshillit Krahinor.

Persona të panjohur mësynë ndërtesën ku morën disa dhjetëra vetë peng. Forcat e sigurisë e mbajtën godinën të rrethuar për disa orë përpara se të vendosnin të hynin. Që në momentin kur ato po afroheshin, agresorët nisën të ekzekutojnë pengjet.

Tikriti, vendlindja e Sadam Huseinit, ka qenë prej kohësh bastion i rebelëve sunitë në vend. Personat e armatosur, të veshur me uniforma ushtarake, sulmuan ndërtesën e Këshillit pasi një kamikaz kishte hedhur veten në erë përpara saj. Zyrtarët irakianë thonë se gjatë rrethimit janë plagosur të paktën 65 vetë.

Autoritetet fajësojnë Al-Kaedën për këtë sulm, ndërsa vijnë njoftime kundërthënëse nëse personat e armatosur po mbajnë akoma pengje.

Mësohet se policia ka vendosur në Tikrit gjendjen e shtetrrethimit.

Top Channel