Shqetësim të jashtëzakonshëm ka ngjallur në Greqi zhvlerësimi i ri që i ka bërë ekonomisë së vendit agjencia ndërkombetare Standard & Poor’s.

Vetëm disa ditë pas samitit të lartë të BE, kjo agjenci ka ulur në pasditen e së martës me një gradë, nga BB+ në BB-, në mënyrë të paparashikueshme, klasifikimin për aftesitë huamarrëse të vendit duke paralajmeuar madje se mund të bëjë edhe një zhvlerësim tjetër në një të ardhme të shpejtë.

Vlerësimi i Standard & Poor’s është se Greqia do të detyrohet që t’i drejtohet edhe njëherë Mekanizmit Mbështetës të BE për të kërkuar një ndihmë të re ekonomike pas vitit 2013.

Kryeministri grek Jorgos Papandreu ka reaguar menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë për ekonominë e vendit, që sipas tij po bën sakrifica të mëdha për t’u rimëkembur.

“Ky veprim nuk pasqyron përpjekjet e konsoliduara që po bëjmë”, ka deklaruar ai në një konferencë shtypi gjatë një evenimenti të socialistëve europianë në Athinë.

Agjencia e vlerësimit Standard &Poor’s ka zhvlerësuar në të njëjtën kohë edhe Portugalinë duke bërë që të rritet ndjeshëm kostoja e huasë për bondet dhjetëvjecare të të dy vendeve.

Si pasojë indeksi i bursës greke humbi sot gati dy pikë, në më pak se një orë, ndërsa patën rënie të ndjeshme aksionet sidomos të bankave greke.

Zhvlerësimi i ri i agjensisë vjen në një moment kur qeveria Papandreu po përgatit një paketë të re masash anti-krizë për t’ia paraqitur FMN, BE dhe BQE për t’i bindur ata se do të mund të mbulojë deficitin buxhetor negativ të tremujorit të parë të këtij viti që tejkalon shifrën prej 1.8 miliard euro .

Top Channel