Brukseli respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë mbi presidentin Pacolli. (UPDATE)

Këtë e deklaroi zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, e cila u mundua të argumentonte dhe qëndrimin e mëparshëm Ashton-Fyle.

“Ne mirëpritëm rezultatin e procesit, por mësuam se pati parregullësi dhe thamë se atje ka procedura të brendshme që ndiqen në rast se këto parregullësi konfirmohen. Për momentin, nuk e dimë cfarë thotë Gjykata Kushtetuese, ne në fakt po shohim vetëm njoftimin për shtyp, ndaj sic e thashë, do të studiojmë vendimin e gjykatës sapo të publikohet, por që natyrisht ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar zëdhënësja Maja Kocijancic.

Menjëherë pas zgjedhjes së presidentit Pacolli, Komisioni Europian vrapoi të përshëndeste zgjedhjen e tij dhe të qeverisë Thaci, pasi një gjë e tillë i hapte rrugën nisjes së dialogut me Serbinë.

Në të njëjtën mënyrë, Maja Kocijancic u pyet edhe nëse ky vendim i Gjykatës Kushtetuese do të pengonte dialogun me Beogradin.

“Përsa i takon dialogut, aktori kryesor është qeveria dhe qeveria e ka emëruar negociatorin e vet. Sic e dini, dialogu është duke vijuar, kemi rezultatin e parë pozitiv dhe nuk shohim ndonjë ndërhyrje për këtë pikë”, ka sqaruar Kocijancic.

Tryeza e dytë e dialogut Prishtinë-Beograd rezultoi vetëm me një marrëveshje ku autoritetet e Kosovës pranuan ofertën serbe për të marrë fotokopje të regjistrit civil.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel