Presheva: Duam bashkimin me Kosovën

28/03/2011 13:10

Një ekip hulumtues i Agjencisë Informative “Presheva Jonë” ka publikuar dje të dhënat e një sondazhi që përfshiu 1028 qytetarë të Luginës së Preshevës, lidhur me perspektivën dhe statusin e tri komunave (Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës) të banuara me shqiptarë etnikë.

Kjo anketë është organizuar jo vetëm për shkak fillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për shkak të disa deklaratave të fundit dhe dilemave të disa liderëve politikë dhe përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, si dhe komandantëve dhe nga ana e OVL-së të UÇPMB-së rreth dialogut dhe të ardhmes së  Luginës së Preshevës. Sondazhi me 1028 qytetarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja dëshmon se popullata mendon krejt ndryshe nga politika ditore e Luginës së Preshevës. Ndërsa të anketuarit, pjesa dërmuese thonë se janë për bashkim me Kosovën, strukturat politike në Luginën e Preshevës kanë mendime të larmishme.

Nga shënimet që kanë dhënë të anketuarit në formularin e sondazhit, vërehet se shumica janë nxënës, studentë, profesorë e intelektualë të profileve të ndryshme. Shumica e këtyre formularëve janë të plotësuar nga të rinjtë nga mosha 18 deri në  moshën 35-vjeçare, me mbi 700 formularë. Ndërsa, mbi 300 janë të moshës madhore, pra mbi 36 vjeç dhe se është për t’u përshëndetur  fakti se rreth 450 vetë (apo 40 për qind) janë femra. Sa i përket nacionalitetit të qytetarëve, pjesa dërmuese apo 98 për qind nga 1028 formularë janë shqiptarë, ndërsa dhjetë formularë janë plotësuar nga pjesëtarë jo shqiptarë.

Sa i përket pyetjes rreth reciprocitetit, asnjë nga të anketuarit nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje, pra asnjë shqiptar nuk pranon reciprocitetin, por kanë plotësuar se Presheva, Bujanoci dhe Medvegja duhet të jenë pjesë e Kosovës, pa cenuar integritetin e saj apo pa bërë këmbime apo ndërrime territoresh.

Top Channel