Veprimtarë të çështjes kombëtare dhe intelektual nga të gjitha trevat shqiptare kanë përkujtuar në Tetovë 30 vjetorin e demostratave studentore në Prishtinë.

Në një akademi solmne të organizuar për këtë rast, u theksua rëndësia e protestave të vitit ’81 dhe u përkujtuan të gjithë ata veprimtarë, studentë e të burgosur politikë, luftëtarë kryengritës e politikanë te sotëm, të cilët për 30 vjet u angazhuan për çështjen shqiptare.

“Shqiptarët 20 vjet me radhë u bëjnë shtet të tjerëve, gjeneratat e viteve të 80 dhe të gjitha para tyre kishin një ëndërr, ata që tentonin ta vrisnin ëndrrën e idealistëve e vrasin ardhmërine e fëmijëve të tyre. Sipas të dhënave statistikore që disponon shoqata jonë, më shumë se gjysma e studentëve shqiptarë e gjeneratës së viteve ’80 u burgosën dhe persekutuan”, është shprehur Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë.

Duke folur para të parnishmëve, historiani shqiptar Paskal Milo foli për rolin e shtetit shqiptar dhe të ish-presidentit Enver Hoxha në përkrahjen që u ka dhënë demonstratave të studentëve kosovarë në vitin ’81.

Por këto teza të Milos u kundërshtuan nga historiani Sabri Godo.

“Enver Hoxha e ka shitur Kosovën në vitin 1945 dhe ndihma që ai mund të kishte dhënë në 1981 është shumë e pa vlefshme në krahasim me dëmet që ai bëri në vitin 1945”, deklaroi Godo duke krijuar pakënaqësi te Milo i cili doli sërish në foltore për të sqaruar se “kjo është një akademi përkujtimore dhe jo një tryezë shkencore”.

Në këtë akademi u nënvizua edhe nevoja për miratimin e një ligji për ish të persekutuarit dhe të dëmtuarit politikë, pasi siç u tha ish të burgosurit politikq jo që nuk kanë ndonjë status, por nga ana e pushtetarëve shqiptarë nuk ka as edhe një premtim për rregullimin e çështjes së tyre.

Top Channel