Kushtetuta e Kosovës edhe në rastin e zgjedhjes president të Behgjet Pacollit është shkelur. Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi me shumicë votash që ta shpallë zgjedhjen e seancës së 22 shkurtit si jokushtetuese. (UPDATE)

“Zgjedhja është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Pika 4 e nenit 86 thotë se, në momentin e votimit të presidentit, në Kuvend duhet të jenë prezent dy të tretat e deputetëve.

Pikërisht kjo pikë ka qenë edhe argumenti më i fortë i përdorur në Kushtetuese nga partitë e opozitës, të cilat paditën zgjedhjen e Pacollit.

Deputetja e LDK, Vjollca Osmani, e kontaktuar në telefon nga Top Channel ka deklaruar se tani, partia më e madhe e opozitës është në pritje të aktvendimit të gjykatës, që pritet të dorëzohet të mërkurën.

Në seancën e 22 shkurtit në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, pasi opozita kishte braktisur sallën.

Megjithatë, edhe me pozitën Pacolli e pati të vështirë të mblidhte 62 vota, kuorum që u arrit pas disa ndërprerjeve të kërkuara nga kryeministri Thaci dhe nga presioni i ambasadorit amerikan Christopher Dell.

Për juristin Mazllum Baraliu, një vendim i tillë i Gjykatës Kushtetuese ishte i pritshëm, pasi dihej që mungesa e kuorumit në votim bie ndesh me Kushtetutën.

Masat që duhet të merren nga Kuvendi i Kosovës pas këtij vendimi Gjykata Kushtetuese do t’i bëjë publike të mërkurën.

Top Channel