Japonia pranë katastrofës

27/03/2011 12:30

Radioaktiviteti në reaktorin 2 të centralit “Daiici” në Fukushima ka arritur kulmin.

Krahasuar me nivelin normal është 10 milionë herë më i lartë. Agjensia për Sigurinë Berthamore bëri thirrje për shpërnguljen e teknikëve. Niveli i Jodit në reaktorin numër 2 është shumë i lartë dhe rrezatimi i regjistruar është 1000 milizivert në orë. Alarmi i ndotjes rritet ndërsa përpjekjet për të vënë nën kontroll situatën kanë reshtur.

Të dielën ishte planifikuar të injektohej ujë jo më nga autobotet e zjarrfikësve, por nga pompat elektrike, për të përshpejtuar kohën dhe për të shmangur çdo vonesë të mëtejshme. Niveli i jodit në det, pranë centralit, ishte 1850 herë më i lartë se kufijtë e ligjshëm. Zëdhënësi i kompanisë Tepko, që zotëron centralin bërthamor, shpjegoi se po shqyrtohet shkaku, por puna ka ndaluar si pasojë e nivelit të lartë të rrezatimit.

Janë zbuluar nivele të larta të ceziumit dhe substancave të dëmshme, të cilat nuk duhet të jenë të pranishme në ujin e reaktorit. Ka shumë mundësi, shpjegoi ai, që shufrat bërthamore të jenë dëmtuar.Tepko është në shënjestër të kritikave për mungesë transparence si dhe për vonesë në dhënien e çdo informacioni.

Agjensia Bërthamore në Japoni tha se operatori Tepko ka bërë një sërë gabimesh, përfshirë edhe për rrobat e punëtorëve. Agjensia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, ANEA ka dërguar ekipe shtesë në centralin bërthamor të Japonisë, i cili u dëmtua pas tërmetit të 11 Marsit.

Numri i viktimave si pasojë e lëkundjes së fortë sizmike dhe cunamit ka kaluar 10 mijë të vdekur, ndërsa 17 mijë persona konsiderohen të humbur.

Top Channel