Spanjë, anullohen 22 ditë greva në aeroporte

26/03/2011 14:25

Punonjësit e aeroporteve në Spanjë lajmëruan për anullimin e 22 ditëve të grevës së planifikuar të ndodhte gjatë Pashkëve dhe sezonit turistik veror.

Sindikatat pranuan të anullonin grevat që do t’i shkaktonin dëm të madh turizmit të vendit pasi morrën garanci nga autoritetet për sigurinë e vendit të punës dhe disa kushte të tjera të kërkuara.

Grevat u planifikuan pas marrjes së vendimit të qeverisë për privatizimin e pjesshëm të operatorit shtetëror që aeroporteve kombëtare, “Aena”.

Madridi zyrtar ka vendosur të shesë 49% të aksioneve të “Aena”-s, në një përpjekje për të siguruar fonde shtesë në luftën për nxjerrjen e ekonomisë nga kolapsi i mundshëm.

Punëtorët i frikësohen mundësisë që kalimi në menaxhim privat mund të shkaktojë largimin e shumë prej tyre apo keqësimin e kushteve të punës.

Sindikatat bënë me dije se 70% e më shumë se 10 mijë punonjësve votuan për të hequr dorë nga greva e planifikuar, e cila do të shkaktonte pezullimin e aeroporteve për 22 ditë gjatë muajve prill-gusht.

Pjesë e kësaj greve do të ishin bërë punonjësit e sigurisë, ngarkuesit e bagazheve dhe drejtuesit e avionëve në pistë në 47 aeriporte spanjolle.

Nëse greva do të ndodhte turizmi spanjoll do të merrte një goditje serioze, në një vit ku të ardhurat pritet të shtohen si rrjedhojë e anullimit të pushimeve në vendet arabe prej shumë njerëzve

Top Channel