Nënkryetari i komunës së Preshevës, Orhan Rexhepi ka deklaruar se bisedimet Beograd-Prishtinë do të shndërrohen në bisedime për rregullimin e kufijve të rajonit.

“Tashmë është e qartë që bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit nuk do të jenë vetëm teknike. Ato do të shndërrohen në bisedime rreth cështjeve të mëdha, përkatësisht rreth rregullimit të kufijve të rinj. Rregullimi i kufijve në fillim do të zgjidhet mes Kosovës dhe Serbisë, por pastaj do të zgjerohet edhe në rajon”, ka deklaruar Rexhepi.

Sipas tij, Grupi Ndërkombëtar i Krizave tashmë ka filluar të ndryshojë qëndrimin e vet për mosndryshimin e kufijve kur u prononcua për autonomi të veriut të Kosovës.

“Në këtë kontekst Lugina e Preshevës duhet të bëhet pjesë e Kosovës, përkatësisht pjesë e Shqipërisë. Në favor të këtij konstatimi theksoj Kartën e Kombeve të Bashkuara për të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe konferencën e Helsinkit të vitit 1975, për ndryshimin e kufijve në mënyrë paqësore përmes bisedimeve”, ka theksuar Rexhepi.

Top Channel