Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka mohuar të ketë bërë ndonjë marrëveshje me kryetarin e kreun e LDK-së, Isa Mustafa lidhur me mosdhënien e nënshkrimeve për të dërguar çështjen e AAK-së në Gjykatën Kushtetuese, për shkelje të Kushtetutës nga presidenti Pacolli.

“Jo, jo. Më besoni nuk di gjë. Unë i kam lexuar këto gjëra nga mediat. Nuk kam pasur kurrfarë kontakti që para zgjedhjes së time me Isa Mustafën. Unë e respektoj atë njëjtë siç e kam respektuar çdo herë”, është shprehur Behgjet Pacolli, president i Kosovës.

Ndërkohë, sa iu përket arrestimeve të EULEX-it dhe rastit Limaj, presidenti ka kërkuar respektim të kushtetutshmërisë, ndërsa Limajn e ka quajtur mik të mirë të tij.

Ai tha askush nuk ka të drejtë të shkelë mbi vlerat e UÇK-së dhe ta njollosë luftën e shenjtë që ka bërë UÇK-ja.

Presidenti Pacolli po ashtu foli gjerë gjatë rreth vizitave të tij në Shqipëri dhe Maqedoni, për të cilat tha se ishin tejet të suksesshme.

Megjithatë, ai nuk deklaroi nëse i është garantuar mbështetje në idetë e shpalosura prej tij, veçmas rreth një bashkimi ekonomik me Shqipërinë dhe kërkesën e tij që shtetasit e Kosovës të udhëtojnë vetëm me letërnjoftime në Maqedoni.

Top Channel