Mashtruesi Çunaj, çështje dhe në Korçë

25/03/2011 11:35

Mashtrimet e botuesit të gazetës “Komunitete” janë shtrirë edhe në zonën e Korçës.

Moisi Çunaj është çuar për ndjekje penale nga Policia e Korçës në bazë të një denoncimi për veprën penale të mashtrimit, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet ndaj 46-vjeçarit, i cili dy ditë më parë është ndaluar nga Policia e Beratit, së bashku me një zyrtar të Komunës së Poshnjës.

Ka qenë një grua nga Korça, e cila është bërë viktimë e mashtrimeve të 46-vjeçarit Moisi Çunaj dhe ka bërë denoncimin në polici.

Nëna 67-vjeçare nga Kamenica, djali i së cilës po vuan dënimin me burg, akuzon Çunajn se i ka kërkuar 2 milionë lekë për t’i liruar djalin nga burgu.

Policia ka thënë se ai i kishte premtuar lirimin e një të burgosuri kundrejt një shpërblimi financiar.

46-vjeçari i ka marrë lekët një vit më parë, por gruaja ka pritur më kot që pas pagesës djali të lirohej.

Vetëm pas bërjes publike të faktit se botuesi akuzohet për mashtrime, gruaja nga Kamenica ka depozituar një kallëzim penal në Policinë e Korçës.

Gruaja ka rrëfyer se Çunaj ishte paraqitur si botues dhe i kishte thënë se mund të ndikonte në amnistimin e të burgosurve. Djali i 67-vjeçares E.M., vuan dënimin për një vrasje të dyfishtë të ndodhur rreth 8 vjet më parë. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm, por sipas premtimit të Moisi Çunajt, siç ka pohuar e moshuara, ai do t’i kërkonte Presidentit të Republikës amnistinë dhe djali i saj do të lirohej nga burgu. Por për të bërë këtë dhe për të nisur procedurat për amnistinë e djalit duhej që gruaja të bënte një pagesë prej 2 milionë lekësh të reja.

Ka kaluar një kohë relativisht e gjatë dhe 67-vjeçarja që shpresonte të nxirrte me para djalin e saj nga burgu, jo vetëm që nuk ka mundur ta shohë djalin të lirë, por ka kuptuar se ka rënë pre e një mashtrimi. Pas marrjes së parave, Çunaj nuk ka shkuar më në shtëpinë e saj, ndërsa nga kontaktet që gruaja ka pasur me redaksinë e gazetës “Komunitete” ka marrë vetëm përgjigje se po bëhen përpjekje për të ushtruar ndikimin e duhur për lirimin e djalit.

Top Channel