Raportet e progresit për vendet e Ballkanit do të bëhen publike më 12 tetor. Kështu deklaroi Komisioneri Shtefan Fyle, pas takimit me Ministren e Integrimit Europian të Kosovës, Vlora Citaku.

“Komisioni është përfshirë nga afër mbi këtë dialog që synon përafrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE. Përsa i takon axhendës së reformave, Komisioni do të paraqesë raportin mbi progresin e Kosovës në 12 tetor, ndaj mbeten edhe pothuaj 6 muaj që të garantohen dëshmitë konkrete për progresin e bërë në legjislacionin e miratuar dhe zbatimin e masave të marra. Kjo mbetet kyce në mënyrë që Kosova  të ecë drejt rrugës së demokracisë, të ndërtojë institucionet, të luftojë korrupsionin dhe të përmirësojë jetën e përditshme të kosovarëve. Është e rëndësishme që Kosova ta përdorë mirë këtë kohë që mbetet. Në fakt është më mirë që të punohet në mënyrë efikase me një numër të kufizuar prioritetesh kyce, sesa të tentohet që të bëhen të gjitha në mënyrë të pamjaftueshme, dhe kjo cështje u ngrit fiks kështu gjatë takimit tonë”, tha Komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle.

“Kjo është ajo cfarë ne po bëjmë. Në takimin e parë, qeveria miratoi 10  prioritete strategjike, sepse ne biem dakort se nëse do të fokusohemi në gjithcka, atëherë ne nuk do të jemi në gjendje të bëjmë shumë. Raporti i progresit është dokumenti bazë mbi të cilin ne si qeveri po punojmë. Më lejoni t’ua bëj shumë të qartë, integrimi europian nuk është një opsion, por detyrim për Kosovën”, deklaroi, Ministre e Integrimit Europian në Kosovë.

Në rast të përmbushjes së detyrimeve nga autoritetet e Prishtinës, Komisioni premton se do të mbështesë nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave dhe përfshirjen e vendit në tregëtinë europiane.
 

Top Channel