Arrestohen 9 shqiptarët e “Sacra Corona Unita”

25/03/2011 11:25

Policia italiane në Bari ka zhvilluar një superoperacion, ku janë ndaluar 19 trafikantë të lëndëve narkotike, nga të cilët 9 shqiptarë, 9 italiane dhe një vajzë polake.

Në operacionin e koduar “Kasapët” kanë marrë pjesë 200 policë, të cilët kanë sekuestruar 1150 kg kokainë dhe kanabis, me një vlerë që kap shifrat e gjashtë milionë e gjysmë euro.

Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga policia italiane, droga është nisur drejt Italisë nga Porti i Durrësit dhe ai i Sarandës, ndërsa pritej në Bari nga nëntë trafikantët shqiptarë.

Mes të arrestuarve janë tre shqiptarë rezidentë në Itali, vëllezërit Adrian dhe Dritan Aga, dhe kushëriri i tyre Luan, të cilët bënin më pas shpërndarjen e drogës.

Sipas policisë italiane, personat e ndaluar janë mbajtur nën vëzhgim prej kohësh, ndërsa njëri prej të arrestuarve ka qenë më parë i shpallur në kërkim nga Italia dhe Shqipëria po për trafik lëndësh narkotike.

Mësohet se grupi ka pasur lidhje të forta me klanin kriminal “Sacra Corona Unita”.

Të arrestuarit janë nëntë italianë, nëntë shqiptarë dhe një vajzë polake. Gjashtë shqiptarë të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa 20 persona, 17 italianë e 3 shqiptarë, po hetohen në gjendje të lirë. Akuza ka të bëjë me trafikun ndërkombëtar të drogës, ndërsa janë sekuestruar pronat e shqiptarëve dhe italianëve të përfshirë në këtë trafik. Janë sekuestruar dy sallameri dhe një thertore në qytetin e Barit. Policia ka gjetur edhe depozita bankare të të arrestuarve, automjete, si dhe banesa që kapin një vlerë rreth 3 milionë e 700 mijë euro.

Nëntë shqiptarët janë dy vëllezërit Arian Aga, 32 vjeç i quajtur Arjan, Dritan Aga, 33 vjeç i quajtur Tani dhe kushëriri i tyre Luan Aga, 28 vjeç, Loni Paluka, 29 vjeç dhe Artan Karaj 36 vjeç. Një tjetër i arrestuar është Ylli Dalipaj, 40 vjeç, Gentjan Hamzaraj, 33 vjeç, Petref Kondaj, 37 vjeç, dhe Eduart Premtaj, 39 vjeç, i quajtur Toli. Shtetasja polake është Eva Janus, 48 vjeçe.

Bazat e shpërndarjes së lëndës narkotike kanë qenë në thertore dhe në sallameritë, pronë e një familja italiane që kishte lidhje me këtë grup kriminal.

Droga, pasi depozitohej në thertore dhe sallameri, shpërndahej nga shqiptarët. Krerët e tyre janë Arben Paluka, i cili është shpallur në kërkim dhe nga Eduart Premtaj.

Krahas shpërndarjes së lëndës narkotike në Itali, një pjesë e kanabisit dhe kokainës dërgohej edhe në Spanjë dhe Holandë.

Top Channel