
Brenda javës, Ministria e Punës do të përcaktojë vendin ku do të ngrihen 45 cadrat për banorët romë të dëbuar ditë më parë nga banesat e tyre.
Ndërkaq, këto familje jetojnë në një gërmadhë, pa ushqime e pa ujë, duke mbijetuar falë lypjes.
“Kam dalë për të lypur këtu. Marrim nga 1 mijë lekë për të blerë pak bukë”, thotë një prej tyre. “Nuk na është ofruar asnjë ndihmë nga shteti, vetëm një vezë dhe një bukë kam”, tregon një tjetër.
“Është një zonë momentalisht e boshatisur, e njohur dikur si fusha e druve dhe ndoshta përmes negociatave me pronarin mund të bëjmë dicka deri në realizimin e projektit të Ministrisë së Ekonomisë”, deklaron Blerina Zoto, shefe e sekretariatit për romët në Ministrinë e Punës.
Ministria e Punës do të vendosë përfundimisht se në cilat godina, pronë e qeverisë, do të qendrojnë këto familje rome.
Mësohet se po diskutohet për ish-repartet ushtarake në Vaqar, Sauk e Pezë, por ende nuk është vendosur saktësisht se cili do të jetë vendi dhe godina përfundimtare që do të shërbejë si banesë për këto 45 familje.
Vetëm në dy projekte janë dhënë 10.4 milionë euro
Edhe pse në rrugët e shumë qyteteve ndeshesh cdo ditë me fëmijë romë që lypin dhe që bëhen pre e abuzimeve të ndryshme, në emër të tyre gjatë dy dekadave të fundit janë dhënë miliona euro.
Shefja e sekretariatit për romët në Ministrinë e Punës, Blerina Zoto, sqaron se riintegrimi i romëve është penguar nga mbivendosja e projekteve të shoqatave dhe ndërprerja e tyre për një kohë të shkurtër.
“Këto projekte ishin të segmentuara dhe si të tilla në zona të ndryshme ka pasur mbivendosje apo boshllëk në ndërhyrje. Duke qenë se projektet janë të shkurtra në kohë, shoqatat i përthithin fëmijët në qendrat e tyre dhe kur ato nuk kanë më fonde rrezikohet që fëmijët të dalin në rrugë”, deklaron Zoto.
Vetëm për vitin 2009 deri në 2012, për arsimimin por edhe sistemimin e disa shërbimeve në infrastrukturë të këtij komuniteti janë dhënë rreth 5 milionë euro.
“Kemi dy projekte madhore, Kooperacioni Zviceran dhe programi i UNDP që janë projekte trevjecare dhe ndërhyrja e tyre është në Tiranë, Elbasan, Korcë e Fier”, bën të ditur Zoto.
Në Tiranë ky projekt është fokusuar në shkollën nëntëvjecare “26 Nëntori”, ku mësojnë në dy klasa të alternuara 70 fëmijë. Megjithatë, fëmijët janë sërish në rrugë.
“Ardhja me vonesë në shkollë dhe mungesat janë arsyet më të vështira. Prindërit i cojnë për të punuar, mbledhin kanoce dhe gjëra të tjera. Ka fëmijë që mungojnë një muaj në shkollë”, shprehet një mësuese e këtij gjimnazi.
Zyra e bashkëpunimit zviceran ka dhënë një fond prej 5.4 milionë eurosh, i cili ka nisur në vitin 2000 dhe do të përfundojë në vitin 2012, fond i cili është i destinuar vetëm për arsimimin dhe trajnimin e komunitetit rom. Vetëm nga ky projekt, sipas të dhënave zyrtare, kanë përfituar 895 fëmijë.
Top Channel