Rama: S’tërhiqemi nga kauza jonë

24/03/2011 21:55

Kryetari i PS, Edi Rama ka deklaruar se opozita nuk është tërhequr asnjëherë nga kërkesat dhe kushtet e saj për zgjedhjet e 28 qershorit, por edhe për ato të 8 majit.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Rama është shprehur se opozita do vijojë luftën për kauzën e saj, që pengohet sipas tij nga regjimi i matrapazllëkut.

“Ne nuk jemi tërhequr asnjëherë. Kauza që ne kemi ngritur është më e vështirë për t’u zgjidhur dhe sa më thellë shkojmë kuptojmë përse regjimi i matrapazllëkut të Saliut nuk cedon për të qendruar në pushtet. Ne do vazhdojmë ta kërkojmë me këmbëngulje transparencën për t’u dhënë shqiptarëve mundësinë të marrin frymë lirisht dhe për t’u treguar se qeveria varet nga vota e tyre dhe jo e kundërta. Ne do ta zhvillojmë këtë betejë në Kukës, në Tiranë, në Elbasan, në Durrës, etj dhe ne do ta fitojmë këtë betejë sepse është një liri që duhet ta fitojmë dhe që nuk e ka në dorë Saliu”, ka pohuar Rama.

Sipas tij, Partia Socialiste ka qenë e gatshme të diskutojë për cështjet zgjedhore me mazhorancën, por ka qenë kreu i kësaj të fundit që sipas tij ka refuzuar të bëjë lëshime, për shkak se do të ruajë pushtetin e tij.

“Në një proces si ky duhen dy palë. Saliu e ka të pamundur të lëshojë në këto cështje, sado të thjeshta të jenë, pasi aty ka të lidhur fatin e pushtetit të tij. Saliu nuk është zgjedhur nga vota, por nga imponimi. Të mos përsëritet më një proces zgjedhor ku populli zgjedh dikë dhe vjen dikush tjetër duke mbushur kutitë”, ka deklaruar Rama.

Lideri i opozitës ka bërë të ditur se në ditët e ardhshme PS do të nxjerrë prova që do dëshmojnë të vërtetën “e hidhur” të kutive të 28 qershorit të vitit 2009.

“Jemi vënë në zotërim të tyre tani, pasi kryetari i KQZ, në shkelje flagrante të ligjit, ka zhvilluar një proces ilegal duke i hapur dhe fotokopjuar materialet zgjedhore për llogari të fushatës së ardhshme. Ata e dinë se për cfarë i duan, por nga ana tjetër në këto materiale ndodhen plot të vërteta shumë të hidhura që do dëshmojnë përse materialet duhen hapur”, ka theksuar Rama, i cili ka paralajmëruar mbajtjen e një mitingu madhor kundër “koalicionit të turpit”.

“Transparenca e plotë është një domosdoshmëri, se procesi i deformimit nga Saliu duhet ndalur. Asgjë nuk na ndalë ne në betejën tonë. Do shkojmë në një demonstrim të madh popullor të vullnetit të qytetarëve për t’u cliruar nga ky koalicion i turpit, që u kërkon qytetarëve votën dhe u thotë atyre se ne jemi aleanca për qytetarët. Ne do të jemi kudo, përballë, do luftojmë për votën e qytetarëve. Do ta marrim atë, do ta mbrojmë dhe në rast se merret ne do të jemi në rrugë dhe nuk do të tërhiqemi”, ka nënvizuar Rama.

I pyetur mbi shqetësimet e ndërkombëtarëve për sjelljen e PS gjatë procesit zgjedhor të 8 majit ashtu si në zgjedhjet e kaluara, Rama ka theksuar se, “zgjedhjet e 28 qershorit nuk i ka hedhur në erë opozita, por qeveria që i vodhi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA