Me qindra ish-luftëtarë të UCK-së dhe qytetarë të Kosovës kanë protestuar gjatë paradites në qytetet kryesore të Kosovës, duke kundërshtuar arrestimet e EULEX dhe duke e konsideruar këtë aksion si njollosje të luftës.

Protesta janë mbajtur në 26 qytete. Tubimi kryesor është mbajtur në Prishtinë ku mijëra qytetarë dolën në rrugët e qytetit kundër EULEX.

“Kjo është njollosje, kjo është denigrim i vlerave të luftës”, deklaron ish-luftëtari i UCK-së, Hasan Kastrati.

Protesta u organizuan nga shoqatat e dala nga radhët UCK-së, dhe vjen vetëm 1 ditë pasi EULEX arrestoi disa ish-luftëtarë të UCK-së dhe nxjerrjes së fletë-arrestit edhe për Fatmir Limajn, që gjatë luftës njihej si komandant “Celiku”.

Protestuesit kërkuan që misionit europian t’i hiqen kompetencat ekzekutive dhe të miratohet në Kuvend ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës.

“Duke e konsideruar EULEX si të panevojshëm, ne kërkojmë heqjen e kompetencave ekzekutive të tij dhe kjo të iniciohet nga institucionet që e kanë ftuar. Kjo duhet të bëhët sa më shpejt, sepse ky mision nuk i kryen detyrat e tij”, tha Sekretari i Veteranëve të UCK-së, Sabit Krasniqi.

Organizatorët paralajmëruan se më 29 mars do të protestohet sërish në Prishtinë.

Top Channel