Përjetimi i 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s nuk harrohet. Kur sulmet filluan serbët nisën një fushatë të egër për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, por jo të gjithë ikën.

Ramize Abdullahu, atëherë luftëtare e UCK-së tregon:

“Atë ditë ndodhesha në Prishtinë, në shtëpinë e babait. Ishim duke mbledhur ca ndihma për t’i dërguar në një fshat për ushtarët. Ato ditë kanë qenë të tmerrshme por kemi ndjerë edhe forcën se po përkraheshim nga forcat e NATO-s. Tmerri që ka ekzistuar tek shqiptarët ka qenë se Serbia do të hakmerret mbi popullatën civile”.

Ish-anëtarja e UCK-së tregon se bashkë me vëllain e saj, Hajrushin, që u vra nga forcat serbe gjatë ditëve të bombardimeve, është përpjekur të bindë kosovarët që të mos largohen nga banesat e tyre.

“Nuk ka pasur shtëpi pa një anëtar të UCK-së. Ushtarët e UCK-së kanë folur me njerëzit, duke u dhënë atyre shpresë. Edhe në shtëpinë time kishte plot refugjatë”, rrëfen Ramize Abdullahu.

Ndërsa ministri aktual i Brendshëm, Bajram Rexhepi atëherë ka qenë doktor për të ndihmuar të plagosurit në luftë.

“U kryen ndërhyrje të ndryshme, por pavarësisht nga lëvizjet, unë kam qenë vazhdimisht me UCK-në, duke kryer intervenime të ndryshme. Jemi ekzaltuar me bombardimet, por i druheshim edhe reagimit të qeverisë serbe”, tregon ai.

Fundi i luftës më 8 qershor të 1999-ës solli rikthimin e një vale refugjatësh të dëbuar nga ushtria serbe. 

Top Channel