Siri, protesta të reja, 6 të vrarë

23/03/2011 15:20

Të paktën gjashtë persona mbetën të vrarë sot pasi forcat e sigurisë hapën zjarr në qytetin sirian të Derës, të përfshirë prej disa ditësh nga revolta anti-qeveritare.

Sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, të cilët konfirmuan lajmin, sulmi ndodhi në daljen e xhamisë së Omarit, ku njerëzit u grumbulluan në një përpjekje për të ndaluar policinë që të hynte brenda.

Kjo xhami është shndërruar në një simbol për lëvizjen anti-qeveritare në vend, ndërsa të paktën dhjetë veta janë vrarë pranë saj në përleshjet me forcat e sigurisë në javën e fundit.

Autoritetet fajësuan për ndodhinë e sotme “banda të armatosura”, ndërsa siguruan se brenda xhamisë kishte arka të tëra me municione.

Komisionerja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay, i kërkoi më parë qeverisë siriane që t’i japë fund “përdorimit të dhunës së tepruar”, ndërsa theksoi të drejtën e njerëzve për të protestuar, ndonëse një e drejtë e tillë nuk parashikohet në legjislacionin sirian që prej vitit 1963.

Prej gjashtë ditësh, në disa qytetet jugore të Sirisë kanë shpërthyer protesta anti-qeveritare, të cilat kërkojnë më shumë të drejta demokratike dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Presidenti Bashar al-Assad drejton prej 11 vitesh Sirinë, pasi trashëgoi pushtetin nga babai i tij, i cili drejtoi në mënyrë despotike vendin për më shumë se tre dekada.

Top Channel